Organizata Botërore e Shëndetësisë ka raportuar të dielën për rritjen më të madhe të numrit të rasteve me koronavirus, pasi në vetëm 24 orë është raportuar për 183,000 persona të infektuar.
Kjo agjenci e Kombeve të Bashkuara ka thënë se Brazili është renditur i pari më 54,771 raste, Shtetet e Bashkuara të dytat me 36,617 raste dhe India e treta me 15,400 të infektuar.
Ekspertët kanë thënë se rritja e numrit të të infektuarve mund të jetë rezultat i rritjes së shkallës së testimit dhe zgjerimit të infektimit.
Prej kur ka nisur pandemia me koronavirus, OBSH-ja ka regjistruar, 8,708,008 raste të të infektuarve.
Prej tyre, 461,715 persona kanë vdekur, 4,743 në vetëm 24 orët e fundit.
Më shumë se dy të tretat e vdekjeve të reja, janë raportuar në territorin e kontinentit amerikan.
Në Spanjë, zyrtarët i kanë dhënë fund gjendjes së jashtëzakonshme, pas gati tre muajsh izolim, duke lejuar 47 milionë banorë që të udhëtojnë lirshëm në gjithë shtetin, për herë të parë prej 14 marsit.
Ky shtet ka hequr edhe masën e karantinës 14-ditore për vizitorët nga Britania dhe 26 shtetet evropiane që mundësojnë udhëtim të lirë.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez u ka bërë thirrje banorëve të Spanjës që të kenë kujdes maksimal.
“Virusi mund të kthehet dhe mund të na godasë me valë të dytë, andaj neve na duhet të bëjmë gjithçka për të shmangur këtë gjë”.
Në një organizim fushate në Tulsa të Oklahamas, presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë testuar 25 milionë persona, mirëpo “pjesa e keqe” është se janë gjetur raste të reja.
“Kur bëni testim të kësaj shkalle, ju do të gjeni më shumë njerëz, ju do të gjeni më shumë raste. U kam thënë njerëzve të mi. ‘Ju lutem ndalni pak testimin’”, ka deklaruar ai.
Rivali i tij nga radhët e demokratëve, Joe Biden ka akuzuar Trumpin se “është duke vendosur politikën përpara sigurisë dhe mirëqenies ekonomike të popullit amerikan”.
Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të rasteve të raportuara me koronavirus, mbi 2.2 milionë.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, të vdekur janë rreth 120,000 persona.
Numri i rasteve me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi, është duke u rritur shpejt, jo vetëm në SHBA, por edhe në Brazil, Afrikën Jugore dhe shtetet tjera, sidomos në Amerikën Latine.
Ministria e Shëndetësisë në Brazil ka thënë se numri total i rasteve është rritur për më shumë se 50,000 brenda një dite.
Presidenti, Jair Bolsonaro ka ulur vazhdimisht rreziqet e këtij virusi, pavarësisht se mbi 50,000 persona kanë vdekur në këtë shtet, duke shënuar shifrën e dytë më të madhe të fataliteteve në botë.
Afrika Jugore ka raportuar mbi 5,000 raste të reja të shtunën, bashkë me 46 viktima.
Por, pavarësisht rritjes, presidenti Cyril Ramaphosa ka njoftuar për lehtësim të masave të kufizimit.
Sallonet e bukurisë dhe shërbimet e restoranteve do të rikthehen atje.
Në Evropë, në vetëm një fabrikë të paketimit të mishit në Gjermani, janë regjistruar 1,000 raste të reja.
Për pasojë, qeveria rajonale ka marrë vendim të futje në karantinë të 6,500 punëtorëve, menaxherëve dhe anëtarëve të familjes.
Në Azi, Kinë dhe Korenë Jugore kanë raportuar raste të reja të dielën, duke rrezikuar kthimin e pandemisë.
Autoritetet kineze kanë regjistruar 25 raste të reja, 22 vetëm në Pekin.
Javën e kaluar, Pekini ka ashpërsuar kontrollet në udhëtim, duke kërkuar nga secili që largohet nga qyteti me 20 milionë banorë, që të prezantojë test negativ në këtë virus.
Në Korenë Jugore, gati 200 të infektuar janë identifikuar në një kompani shitjesh në Seul, dhe 70 të tjerë janë të lidhur me një klub të tenisit.
Mirëpo zyrtarët jugkoreanë janë duke hezituar rikthimin e masave kufizuese, me qëllim të shmangies së dëmeve ekonomike./rel/
Edi – Gjestit: S’ki nevojë me u tut se dola unë tash!
Krasniqi: Që të rinjtë të qëndrojnë në Kosovë, atyre u duhet...
Pamje nga veriu, pas shpërthimit në kanalin e ujit në Zubin ...
Rusia thotë se ka bombarduar forcat antiqeveritare në Siri
Vota e emigrantëve, kreu i KQZ: 30 ditë nuk mjaftojnë për po...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, KEK shpreson në sanimin e shpejtë...