OBSH-ja dërgon ekipe shtesë në Indi

19:28 | 26 Prill 2021
Arbresh.info

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka filluar të dërgojë ekipe shtesë dhe furnizime në Indi për të ndihmuar këtë vend në luftimin e pandemisë, tha të hënën shefi i kësaj organizate, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

“OBSH po bën gjithçka që mundet, duke siguruar pajisje, spitale lëvizëse në terren dhe pajisje laboratorike”, tha Ghebreyesus në një konferencë.

Sipas tij mbi 2.600 anëtarë shtesë të stafit të OBSH-së do të ndihmojnë këtë vend në përballje me pandeminë.

Të hënën, India shënoi përsëri një rekord të ri të rasteve të reja me COVID-19, derisa shtetet, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë u zotuan se do të dërgojnë ndihmë shëndetësore, për të ndihmuar këtë vend në luftën kundër pandemisë.

India regjistroi 352,991 raste të reja në 24 orët e fundit. Spitalet në mbarë vendin janë mbingarkuar. Spitalet në kryeqytet, Nju Dehli po kthejnë mbrapsht pacientët, pasi nuk kanë shtretër të lirë e as furnizime me oksigjen.

“Aktualisht, ka ‘luftë’ për shtretër dhe situata është një krizë ekstreme”, tha zëdhënësi i një spitali në Nju Dehli, raporton “Reuters”.

Poashtu, India po përballet me një variant të ri të virusit. Më 25 prill, Zvicra njoftoi se varianti indian ka arritur edhe në shtetin e tyre, ndërsa Italia ka vendosur që të ndalojë udhëtimet për në Indi./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme