Drejtori rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën, Hans Kluge tha të enjten se ky kontinent është tani epiqendra e pandemisë COVID-19, me 59 për qind të të gjitha rasteve në shkallë globale.
Në një konferencë virtuale shtypi nga Kopenhaga, zoti Kluge tha se ritmi aktual i transmetimit të virusit në 53 vendet e rajonit është një shqetësim i madh. Ai tha se rastet e reja po i afrohen niveleve rekord dhe se kjo i atribuohet variantit delta të koronavirusit.
Zoti Kluge tha se të dhënat e fundit të OBSH-së tregojnë se rastet e shtrimeve në spital në kontinent janë rritur më shumë se dyfish për një javë.
Drejtori rajonal i organizatës tha se zyrtarët po shohin prirje të rritjes së rasteve në të gjitha grupmoshat, por se rritja e shpejtë mes së moshuarve është shqetësimi më i madh. Ai tha se kjo ka sjellë si rezultat më shumë raste të rënda dhe vdekje, me 75 për qind të vdekjeve mes personave të moshës 65 vjeç e lart.
Kluge tha se një parashikim nga një burim i besueshëm tregon se me ritmin aktual, Evropa mund të ketë gjysmë milioni vdekje të tjera nga COVID-19 deri në 1 shkurt.
Kluge përmendi normat e pabarabarta të vaksinimit dhe lehtësimin e masave shëndetësore publike dhe sociale në të gjithë rajonin si shkaqe për rritjen.
Megjithëse janë shpërndarë një miliard doza vaksinash, në Evropë, vetëm 47 përqind e popullsisë totale është plotësisht e vaksinuar. Ai thotë se në tetë vende, të paktën 70 për qind e njerëzve janë vaksinuar plotësisht. Zoti Kluge vëren se norma mbetet nën 10 përqind në dy vende të tjera.
Zyrtari i OBSH-së inkurajoi vendet me norma të ulëta vaksinimi që të përshpejtojnë vaksinimin, veçanërisht midis grupeve me përparësi siç janë të moshuarit. Ai u kërkoi vendeve me shkallë të lartë vaksinimi dhe rezerva të shumta, t’i ndajnë ato me vendet që nuk e kanë një mundësi të tillë.
Ai tha gjithashtu se vaksinat janë më efektive kur përdoren me masa të tjera parandaluese, si distancimi fizik dhe mbajtja e maskave. Zoti Kluge tha se nëse rajoni arrin në një përdorim universal të maskave, mund të shpëtohen 188,000 jetë nga tani deri në shkurt.
“Ne duhet të ndryshojmë taktikat tona, duke kaluar nga kundërpërgjigjia ndaj rritjes” së rasteve të COVID-19 tek “parandalimi i tyre”, tha zoti Kluge./voa/
Analistët: Përdorimi i raketave të shpejta nga Rusia, sinjal...
Ndodh edhe puthja e shumëpritur mes Lelës dhe Leos
Real Madridi mund të futet në garë për Lookman, por çmimi i ...
Pas tërheqjes së Matt Gaetz, Trump emëron Pam Bondin për pos...
Horoskopi, çfarë kanë parashikuar yjet për shenjën tuaj sot
Shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe