Google ADS

OBSH: Është tronditës çekuilibri që vazhdojmë të kemi në shpërndarjen e vaksinave

22:37 | 9 Prill 2021
Arditë Shkodra

Organizata Botërore e Shëndetësisë sërish ka kundërshtuar hendekun e krijuar në furnizimin me vaksina kundër COVID-19, mes vendeve të pasura dhe atyre të varfra.

“Vazhdojmë të kemi një çekuilibër tronditës në shpërndarjen globale të vaksinave”, tha shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus një konference shtypi. Ai tha se nga 220 vende dhe territore, 194 kishin filluar vaksinimin.

“Shumica e vendeve nuk kanë vaksinave të mjaftueshme për të imunizuar të gjithë punonjësit shëndetësorë, ose të gjitha grupet në rrezik”, tha shefi i OBSH-së.

Rreth 49 për qind e dozave të vaksinave janë injektuar në vendet me të ardhura të larta që përbëjnë 16 për qind të popullsisë globale, raporton AFP.

Programi COVAX i cili synon të sigurojë që vendet e varfëra të kenë qasje në furnizim, kishte planifikuar të shpërndante 100 milionë dozat e para në të gjithë botën deri në fund të marsit.

Por, vetëm 38 milionë janë shpërndarë deri më tani, në 105 territore.

“Ne shpresojmë të zëmë hapin gjatë prillit dhe majit”, tha Ghebreyesus. /rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme