Google ADS

OBSH e shqetësuar për përhapjen e lisë së majmunit

19:34 | 2 Korrik 2022
Trina Galanxhi

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi sot se “qarkullimi i vazhdueshëm” i virusit të lisë së majmunëve në botë mund të rezultojë në përhapjen intensive të virusit në grupet me rrezik të lartë, si gratë shtatzëna, njerëzit me imunitet të dobësuar dhe fëmijët.

OBSH thotë se po heton raportet e fëmijëve të infektuar, duke përfshirë dy raste në Britaninë e Madhe, dhe po monitoron situatën në Spanjë dhe Francë, megjithëse nuk është raportuar asnjë rast serioz midis të infektuarve, raporton Reuters, transmeton portal arbresh.info

Virusi deri më tani është identifikuar në më shumë se 50 vende të reja jashtë Afrikës, ku lija e majmunit  është endemike.

“Jam i shqetësuar për transmetimin e vazhdueshëm të virusit, sepse ai çon në përfundimin se prania e virusit po forcohet dhe se mund të prekë grupet me rrezik të lartë, duke përfshirë fëmijët, me imunitet të kompromentuar dhe gratë shtatzëna”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus në Gjenevë.

Sipas të dhënave të OBSH-së, që nga fillimi i epidemisë në maj, janë regjistruar më shumë se 3,400 raste të lisë së majmunëve dhe një vdekje, kryesisht në Europë tek meshkujt homoseksualë.

Javën e kaluar, OBSH arriti në përfundimin se epidemia nuk ishte përhapur në atë masë sa të kërkonte shpalljen e një emergjence të shëndetit publik, niveli më i lartë i alarmit.

Megjithatë, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së tha se OBSH po monitoron nga afër situatën epidemiologjike dhe se komisioni i ekspertëve do të mblidhet “sa më shpejt të jetë e mundur” për të kryer një tjetër vlerësim më të detajuar./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme