Në një libër me kujtime që do të dalë në treg të martën (17.11.), ish-presidenti i SHBA Barack Obama bën një sërë lëvdatash për kancelaren gjermane Angela Merkel. Në librin e tij, Një Tokë e Premtuar, Obama shkruan se Merkeli fillimisht e kishte parë atë me skepticizëm – dhe pohon se kjo mund të ketë qenë për shkak të fjalimeve të tij të forta dhe “retorikës së ekzagjeruar”.
Sidoqoftë, ai nuk ia kishte marrë për keq atë skepticizëm. “Për një kryetar gjerman të qeverisë, antipatia ndaj një demagogjie të mundshme ishte ndoshta një qëndrim i shëndetshëm,” tha ai. Me kalimin e viteve, ai konstatoi që Merkeli ishte gjithnjë e më e pëlqyeshme, tha ai, duke e quajtur atë “të besueshme, të ndershme, të saktë intelektualisht dhe miqësore në një mënyrë të natyrshme”.
Sidoqoftë, Obama kritikon politikën e Gjermanisë ndaj Greqisë gjatë vështirësive të Greqisë me borxhet pas kolapsit financiar, kur Merkeli dhe Ministri i atëhershëm i Financave Wolfgang Schäuble (CDU) u ishin mbajtur fort politikës së kursimeve dhe reduktimit të huave publike si përgjigje për pothuajse të gjitha vështirësitë ekonomike. “Vura re se ata [Merkeli dhe ish Presidenti francez Nicolas Sarkozy] rrallë përmendnin që bankat gjermane dhe franceze ishin disa nga huadhënësit më të mëdhenj të Greqisë, ose se shumica e borxhit të grumbulluar të grekëve ishte krijuar duke blerë eksporte gjermane dhe franceze – fakte që mund t’ua kishin bërë të qartë votuesve pse shpëtimi i grekëve nga paaftësia për të paguar kishte të njëjtën rëndësi si shpëtimi i bankave dhe industrive të tyre “, shkruan Obama.
Obama kritikon gjithashtu ish-Presidentin francez Nicolas Sarkozy, për të cilin ai mendon se nuk ishte “kundërpeshë e vërtetë” ndaj Merkelit. Ndryshe nga Merkeli, shkroi Obama, Sarkozy u shfaq shumë i çorganizuar për të hartuar një plan serioz për reformën ekonomike, duke shtuar se qasjes së Sarkozys i mungonte “qëndrueshmëria ideologjike”.
‘Mendjemprehtësi strategjike dhe durim i patundur’
Obama gjithashtu përshkruan shkurtimisht për lexuesit karrierën e Merkelit, duke thënë se kur u rrit në ish-Gjermaninë Lindore, Merkel fillimisht “e kishte mbajtur kokën ulur”. Megjithatë, gjatë rritjes së saj në krye të partisë Bashkimi Kristjandemokrat Gjerman(CDU), Obama shkruan se Merkeli demonstroi atë që formësoi të gjithë karrierën e saj: “aftësitë organizative”, “mendjemprehtësinë strategjike” dhe “durimin e palëkundur ”
Para botimit të librit, Obama e vlerësoi më tej Merkelin në një intervistë me grupin transmetues gjerman RTL. “Unë mendoj shumë për Angela Merkelin. Ajo ka qenë një udhëheqëse e jashtëzakonshme politike, jo vetëm për Gjermaninë, por për Evropën dhe botën,” tha ai në intervistën e zhvilluar në Uashington të premten. Vëllimi i parë i kujtimeve të Obamës ka 1024 faqe dhe del sot (17.11.) në treg në 25 gjuhë.
aud (dpa, afp)
80-vjetori i Bibliotekës Kombëtare, Kurti: Në këto mure jeto...
Ronaldo shënon dy gola në fitoren e Al-Nassr në Ligën e Kamp...
Takimi i G7-ës në Itali, i fundit për administratën e Presid...
“30 milionë euro naftë o vëlla”, Haziri, qeverisë: Mos i pre...
Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë
Vullneti e komenton me Arionin situatën mes Sarës, Drilonit ...