Norvegjia ka njoftuar se do të dëbojë 15 zyrtarë të Ambasadës ruse, që sipas Ministrisë së Jashtme janë zyrtarë të inteligjencës që po operonin duke u paraqitur si diplomatë. Moska tha se do të kundërpërgjigjet për këtë veprim të Oslos.
Me dëbimin e këtyre zyrtarëve, Oslo deri më tani ka dëbuar një të katërtën e diplomatëve rusë në Norvegji.
Vendimi i Oslos është i fundit në shtetet perëndimore që janë dëbuar diplomatë rusë që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës vitin e kaluar. Vetëm gjatë këtij viti, Estonia, Holanda dhe Austria po ashtu kanë dëbuar diplomatë rusë.
Në prill të vitit 2022, Norvegjia kishte dëbuar tre diplomatë rusë.
“Ky është një hap i rëndësishëm në luftimin dhe uljen e nivelit të aktivitetit të inteligjencës ruse në Norvegji dhe në këtë mënyrë për të mbrojtur interesat tona kombëtare”, tha përmes një deklarate ministrja e Jashtme norvegjeze, Anniken Huitfeldt.
“Rusia aktualisht paraqet kërcënimin më të madh të inteligjencës për Norvegjinë. Ne nuk do të lejojmë që oficerët e inteligjencës ruse të operojnë, duke u paraqitur si diplomatë”, shtoi ajo.
Sipas autoriteteve norvegjeze, zyrtarët rusë duhet të lëshojnë territorin e Norvegjisë shumë shpejt.
Ministria e Jashtme ruse tha se Moska do të përgjigjet për dëbimin e zyrtarëve të saj, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve, TASS, pa dhënë më shumë detaje.
Norvegjia, shtet i aleancës ushtarake të NATO-s, ndan kufi me Rusinë në Arktik.
Dëbimet mund të ndërlikojnë edhe më tej procesin e transferimit të kryesimit të Këshillit të Arktikut, që është një trup shumëpalësh ku shtetet e Arktikut bisedojnë për çështjet që prekin rajonin polar.
Moska aktualisht udhëheq me këtë këshill, por Norvegjia pritet ta marrë kryesimin e këshillit më 11 maj. /REL/
PSG dhe West Ham në negociata për transferimin e Soler në Pa...
Kurti: Përfshirja e fëmijëve në edukim, mundësi për punësim ...
Sekuestrohen 12 armë zjarri në rajonin e Prishtinës
Ngritet aktakuzë ndaj një ish-pjesëtari të forcave serbe për...
Xheneta- Gjestit: A të kujtohet puthja jonë e parë?
Salah i lumtur që futet në historinë e Liverpoolit