Nobeli për Fizikë u ndahet themeltarëve të inteligjencës artificiale

16:06 | 8 Tetor 2024
Q L

Geoffrey Hinton, i njohur si babai i inteligjencës artificiale, dhe fizikani John Hopfield, e kanë fituar Çmimin Nobel për Fizikë, për punën e tyre në vendosjen e themeleve për inteligjencën artificiale.

Hulumtimet e tyre në vitet ’80 e kanë shtruar rrugën për teknologjinë që mund të bëjë revolucion në shoqëri, ndonëse sa shkon e shton shqetësime apokaliptike.

“Në situatë të njëjtë, do ta bëja sërish të njëjtën gjë, mirëpo shqetësohem se pasoja e përgjithshme është që sistemet mund të jenë më inteligjente sesa ne, dhe që mund të marrin kontrollin”, ka thënë britaniko-kanadezi, Hinton, 76-vjeçar, në një bashkëbisedim me gazetarët, pasi i është ndarë çmimi.

Hinton ka çuditur të gjithë më 2023 kur ka dhënë dorëheqje nga puna e tij në gjigantin Google, duke paralajmëruar për “rreziqet e mëdha për shoqërinë dhe njerëzimin”, që vijnë nga teknologjia.

Ellen Moons, udhëheqëse e Komitetit të Nobelit për Fizikë, ka thënë në një konferencë për media se pajisjet teknologjike janë bërë pjesë e jetës sonë, përfshirë identifikimin e fytyrës së njeriut dhe mundësinë e përkthimit të gjuhëve.

Ndonëse e ka duartrokitur potencialin e inteligjencës artificiale, Moons ka thënë se “zhvillimi i saj i shpejtë ka rritur shqetësimet edhe për të ardhmen tonë kolektive”.

“Njerëzit e bartin përgjegjësinë për përdorim të kësaj teknologjie të re në mënyrë të sigurt dhe etike”, ka thënë ajo.

Hopfield, 91-vjeçar, profesor amerikan në Universitetin Princeton, është përmendur si personi që ka krijuar “rrjetin Hopfied”, i njohur si memorie kompjuterike, që mund të përdoret për të “ruajtur edhe rikrijuar imazhe dhe gjëra tjera” përmes të dhënave që ka në dispozicion./rel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme