Në Egjipt po bëhen bisedime për arritjen e një armëpushimi në Gazë përpara se të nisë muaji i Ramazanit, javën e ardhshme.
Izraeli nuk dërgoi delegacion, sepse pret përgjigje nga Hamasi mbi dy çështje, tha një zyrtar i qeverisë izraelite që foli në kushte anonimitetit.
Media izraelite njoftoi se qeveria po priste të vihej në dijeni se cilët pengje janë ende gjallë dhe sa palestinezë të burgosur kërkon Hamasi që të lirohen në këmbim të secilit prej pengjeve.
Pasi delegacioni i Hamasit mbërriti në Kajro, një zyrtar palestinez i tha agjencisë së lajmeve Reuters se arritja e një marrëveshjeje “nuk ishte ende e afërt”. Autoritetet izraelite nuk komentuan zyrtarisht.
Të shtunën, një zyrtar amerikan tha se arritja e një marrëveshjeje për armëpushim mes Izraelit dhe grupit militant Hamas, në Gazë dukej më pranë se kurrë. “Izraeli pak a shumë e ka pranuar kornizën e marëveshjes”, tha ai.
Marrëveshja e proopozuar parashikon armëpushim 6-javor dhe lirimin e pengjeve që janë të sëmurë, të plagosur dhe gratë, tha zyrtari i administratës amerikane.
Marrëveshja po ashtu do të lejonte hyrjen e më shumë ndihmave humanitare në Gazë.
Agjencia “France Presse” njoftoi të dielën se një zyrtar i lartë i Hamasit kishte thënë se një armëpushim mund të jetë i mundur brenda 24 deri në 48 orësh, nëse Izraeli do të pranonte kërkesat e Hamasit.
Sipas tij, kërkesat përfshijnë kthimin e palestinezëve të zhvendosur në Gazën veriore dhe rritjen e ndihmës humanitare.
“Nëse Izraeli pranon kërkesat tona, të cilat përfshijnë kthimin e palestinezëve të zhvendosur në Gazën veriore dhe rritjen e ndihmës humanitare, kjo do të hapte rrugën për një marrëveshje armëpushimi brenda 24 deri në 48 orëve të ardhshme,” citohet të ketë thënë zyrtari i grupit militant.
Ndërmjetësuesit duan që marrëveshja të arrihet përpara se të nisë muaji i shenjtë i Ramazanit, më 10 mars.
Autoritetet në Gazë thanë se të paktën 8 persona u vranë të dielën në Rafah ndërsa një kamion që mbante ndihma humanitare nga një organizatë bamirëse nga Kuvajti u godit nga sulmet ajrore. Nuk pati një reagim të menjëhershëm nga Izraeli.
Të shtunën, ushtria amerikane hodhi nga ajri paketa ushqimore dhe ndihma humaniare mbi Gazë , raundi i parë i ndihmës emergjente të autorizuar nga Presidenti Joe Biden.
Palestinezët postuan video në mediat sociale që tregonin se kutitë e ndihmave po hidheshin nga avionët e ushtrisë amerikane.
“Ne kemi vendkalime tokësore, është më mirë të dërgojmë ndihma përmes vendkalimeve se sa t’i hedhin me avion me parashutë. Këto ndihma nuk mjaftojnë për një familje, kjo nuk është asgjë. Egjipti duhet të hapë vendkalimin e tij dhe t’i lejojë kamionët të hyjnë normalisht”, thotë një banor i Gazës.
“Shtetet e Bashkuara janë pjesë e këtij krimi kundër Gazës. Sot Amerika po përpiqet të blejë heshtje tonë duke na dërguar ndihma. Është më mirë për ne të jetojmë në luftë sesa të marrim ndihmë nga Amerika”, thotë një tjetër banor i Gazës.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se ndihmat nga ajri e do të jenë një përpjekje për të ndihmuar banorët dhe se Izraeli është mbështetës i operacionit.
Ushtria e Jordanisë dhe Egjiptit gjithashtu kanë kryer fluturime të ngjashme.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë, që kontrollohet nga Hamasi tha se numri i të vdekurve palestinezë nga lufta ka arritur në 30 410, ndërsa rreth 72 mijë të tjerë janë plagosur. Po ashtu gati tre të katërtat e popullsisë prej 2.3 milionë e Gazës është zhvendosur.
Konflikti filloi më 7 tetor të vitit të kaluar, kur Hamasi, një organizatë e përcaktuar terroriste nga Uashingtoni, sulmoi Izraelin, duke vrarë 1200 njerëz dhe duke marrë rreth 240 pengje. Izraeli u përgjigj me një sulm ajror dhe tokësor në Rripin e Gazës./voa/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...