Google ADS

Njihuni me “Peaky Blinders”, njësia elitë që kujdeset për qiellin e Ukrainës

15:31 | 7 Qershor 2024
KRG

Në fshatin e Lyptsi, forcat ukrainase duket se po përgatisin një ofensivë surprizë për rusët. Që prej fillimit të majit, rusët janë drejt Kharkivit. Por, ukrainasit shpresojnë që me ndihmën e paketave ndërkombëtare, mund t’i frenojnë sadopak armiqtë. Pavarësisht përqendrimit në Kharkiv, kërcënimi në veri nuk është larg, por Lyptsi mbetet shënjestër.

Ushtarët, por mbi të gjitha banorët e fshatit, prej ditësh po jetojnë mes zhurmës së bombardimeve, herë larg e herë shumë pranë shtëpive të tyre, shumica tashmë të shkatërruara. Rrugët janë të boshatisura kryesisht dhe në to kalojnë vetëm njësitë elitë ukrainase. Çfarë janë ata? Janë ekipe që rrinë vetëm me automatikë në duar. Skanojnë qiellin në kërkim të dronëve kamikazë. Këto të fundit janë bërë arma më e fuqishme e luftës, edhe këtë vit. Dhe kësisoj, njësitë ukrainase janë mësuar me to, edhe sesi t’i rrëzojnë.

Këto njësi i referohen vetes si Peaky Blinders, si seriali i famshëm televiziv. Oleksandër, lideri i tyre, thotë se ia kanë dalë të mbijetojnë, pavarësisht terrenit të vështirë e lodhjes së luftës, në shumicën e rasteve të veshur edhe me rroba civile. Ata ruajnë rrugën dhe qiellin. Prej kohësh, siç e pranojnë vetë, asnjë vullnetar nuk po i bashkohet njësisë së tyre. Luftimet në terren po vështirësohen, bateritë po shterojnë, armët po ashtu. Njësia elitë ukrainase po vuan mbi të gjitha mungesën e burimeve njerëzore, që janë trajnuar prej fillimit nga forcat speciale të Perëndimit. Gjithsesi, njësitë e mbetura janë absolutisht Peaky Blinders të teknologjisë së lartë, ndonëse operojnë në vështirësi në armatime. Ata me krenari e ruajnë emrin, me veshje të lira kamuflazhi. Moto e tyre është e thjeshtë për t’u mbajtur mend: “Gjej dhe shkatërro”.

Në këto javë të shkuara, Oleksandër, lideri i Peaky Blinders, thuajse ka luftuar për shtëpinë e tij. Në mbi dy vite luftë ka qenë në front, atje ku ka patur nevojë, por Kharkivi është shtëpia e tij. Fushat dhe tokën rreth e qark e njeh mirë, di ku të fshihet, njeh çdo rrënjë peme. Di të fshehtat e terrenit. Para se të nisej në luftë, këtu ndante jetën. Aty ku dikur mbillte perime, sot fsheh armë e bomba.

Që nga nisja e luftës ruse në Ukrainë, njësia speciale Peaky Blinders thotë se ka vrarë më shumë se 100 ushtarë rusë, qindra të tjerë i ka plagosur. Ata operojnë si një forcë ajrore e vogël, me dronë e arsenal bombash, një pjesë për të goditur tanket e armikut, një pjesë targeton grupe rusësh që afrohen ngadalë si të infiltruar, apo edhe ushtarë individual.

Në shumicën e rasteve, siç po ndodh gjithnjë e më shumë ditët e fundit, Peaky Blinders po përdorin edhe bomba e dronë për të goditur drejtpërdrejtë shënjestrën. Njihen ndryshe edhe si pamja e parë apo FPV drones. Çdo ditë e tyre në terren nis me kërkimin e shënjestrave të reja. Suksese në 27 muaj luftë kanë shënuar. Rusët po fshihen prej tyre.

Në kohën e lirë, ata përdorin armët për të gjurmuar rusët e vrarë në luftë, për të marrë armët e tyre. Marrin nga çdo rus të vrarë veshje për kamuflazh e armatime nga më të ndryshmet. Por, si Komandant Oleksander, edhe të tjerët, duke nisur nga vëllai i tij më i vogël, e pranojnë se nuk kanë shumë, nuk janë mjaftueshëm për të mposhtur rusët. “Me dronë nuk i kthejmë dot në shtëpi, fatkeqësisht kaq sa jemi, e kemi te pamundur për të sjellë fitoren”, pranojnë ukrainasit.

Ashtu si vetë Presidenti Zelensky, edhe ushtarët në front e pranojnë se nëse do të kishin armë me rreze të gjatë veprimi, as nuk do t’i kishin lejuar rusët që të depërtonin kaq thellë brenda në Ukrainë. Kur Peaky Blinders gjejnë një shënjestër të re, hapi i parë është bllokimi i sinjalit të tyre dhe më pas targeti është vrasja. Edhe pse humbjet në një ditë janë të mëdha, edhe 4 apo 5 dronë në 24 orë është shumë për ta.

Pavarësisht lodhjes dhe mungesës së armatime, ofensiva e Kharkivit duket se i ka dhënë këtyre luftëtarëve një energji të re. E pranojnë me dhimbje se para se rusët në maj t’i drejtoheshin Kharkivit, bota dukej se e kish humbur interesin për luftën. Tani ka një vëmendje të shtuar. Rreziku po rritet dita-ditës dhe fundi i luftës duket shumë larg. Ai thotë se pret që konflikti të zgjasë, të zgjasë shumë, ndoshta për disa vite apo edhe dekada. Asnjëra palë, thotë komandanti i Peaky Blinders, nuk ka forcën e mjaftueshme për një goditje, që do ta linte knockout në vend tjetrën. Dhe për të zmbrapsur rusët jashtë kufirit të tyre, ukrainasit kanë nevojë për mbështetjen “kolosale” të Perëndimit. Por për tani, ofensiva ruse po rezulton e suksesshme.

Oleh Syniehubov, shefi i administratës ushtarake të Kharkivit, beson se plani i vetëm i rusëve në këtë moment është rrethimi i qytetit. Ai thotë se ushtarët rusë, të kapur rob nga njësitë elitë ukrainase, ishte marrja e qytetit të vogël të Vovchansk brenda dy ditëve dhe të hynin në Kharkiv brenda 5 ditëve.

Presidenti Putin e mohon që pjesë e planit rus të jetë rrethimi e marrja e Kharkivit. Në Ukrainë të gjithë besojnë se zmbrapsja e rusëve pas, në kufijtë e para shkurtit 2022 është e mundur, por ai shton: “Çlirimi i territorit është vetëm gjysma e betejës. Gjysma tjetër është beteja për ta mbajtur atë”.

Ofensiva e nisur që në maj e rusëve në rajonin e Kharkiv edhe njëherë ka ngritur pikëpyetje rreth aftësive e mundësive të Ukrainës për ta fituar realisht këtë luftë. Ndihma e Perëndimit nuk ka munguar, por ato nuk po mbërrijnë në kohë. Edhe pse ushtria e Zelenskyt po ia del ta menaxhojë këtë stuhi të fundit ruse, përsëri po humbet terren, kilometër pas kilometri. Ukrainës, veç armëve, i duhen patjetër trupa të reja dhe të freskëta, me fuqi kundërpërgjigjeje.

“Perëndimi i frikësohet Rusisë”

Ukraina beson se shumica e fajit i takon mosvendosmërisë së aleatëve të saj. Këtë javë, Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka shprehur shqetësimet rreth mbështetjes së pakët perëndimore. Ai i ka akuzuar aleatët se “janë të frikësuar nëse Rusia e humb luftën” dhe se ata dëshirojnë vetëm që Ukraina “ta fitojë luftën në atë mënyrë që Rusia nuk humbet”. Me këtë, Ukraina e nënkupton vonesën e fundit nga mbështetja ushtarake e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ihor Romanenko, ish-zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës, ka thënë se SHBA-ja e ka “organizuar një mundësi gjashtëmujore për rusët”.

Oleksandr Merezhko, kryetar i Komisionit Parlamentar të Punëve të Jashtme të Ukrainës, ka thënë se vonesat e tilla gjithashtu tregojnë për ndarje në politikat e huaja të Perëndimit. “Mua më duket se disa veç se kanë rënë dakord për ndarjen e Ukrainës”, ka thënë Merezhko. Ai ka thënë se Perëndimi duket sikur e ka politikën e tillë që përpiqet ta mënjanojë disfatën totale të Ukrainës, teksa i ruhet konfliktit direkt me Rusinë – “kur i ndjek të dy qëllimet, kjo të ndalon të vendosësh”, ka thënë ai.

Romanenko e ka folur këtë në mënyrë të drejtpërdrejtë: “Perëndimi është i frikësuar nga Rusia. Kjo duhet të tejkalohet”.

Një zyrtar i lartë i mbrojtjes ukrainase ka thënë se pakoja e fundit e ndihmës ushtarake nga SHBA-ja do të jetë e mjaftueshme për ta vazhduar operacionin e mbrojtjes deri në fund të këtij viti. Me fjalë të tjera, nuk është e mjaftueshme për ta nisur ofensivën e vështirë dhe të kushtueshme për ta rimarrë territorin.

Oleksandr Merezhko ka thënë se pakoja amerikane e ndihmës “vetëm na jep shans më të mirë për të mbijetuar dhe për ta mbrojtur vijën e frontit”. Çka i është dashur Ukrainës, ka thënë ai, ishte angazhimi afatgjatë dhe mbështetja e vazhdueshme. Mungesa e armëve është bërë më e rëndë, për shkak të hezitimeve mbi atë që Perëndimi është i gatshëm ta ofrojë.

Romanenko ka thënë se forcat ajrore ukrainase duhet të ishin përforcuar me avionë F-16. Ai e ka quajtur vonesën “frikacake”. Shqetësime të ngjashme ka edhe rreth përdorimit të armëve me rreze të gjatë të furnizuara nga Perëndimi. SHBA-ja nuk dëshiron që ato të gjuhen drejt territorit rus. Merezhko ka thënë: “Nëse jemi të limituar për t’i përdorur vetëm në territorin tonë, ne vetëm sa do të hasim në pengesa”. Ai ka besuar se drejtimi i luftës do të ndryshojë vetëm kur Rusia i ndjen pasojat e luftës në territorin e saj.

Në vijat e frontit, Antoni thotë se Ukraina e ka vëzhguar rritjen e forcave ruse përtej kufirit. Ai thotë se nëse ushtarët ishin shënjestuar më herët: “Ne mund ta kishim parandaluar ofensivën”.

Si do të përfundojë kjo?

Brenda Ukrainës, ekziston njohja në rritje se ajo nuk do të arrijë ta fitojë luftën vetëm përmes aspektit ushtarak. Oleksandr Merezhko e pranon se Ukraina është duke pësuar humbje të mëdha: “E di se jemi duke hasur në probleme, se gjysma e rrjeteve të energjisë dhe një e treta e ekonomisë është shkatërruar. Jemi duke pësuar humbje të njerëzve dhe nuk ka garantim se brenda vitit do t’i kemi armët që na nevojiten”.

Merezkho nuk beson se do të ketë ndonjëherë bisedime të paqes me Putinin. Por, ai nuk i përjashton bisedimet për armëpushim. Ai nuk do e pranojë ndarjen e Ukrainës, por e pranon se rimarrja e territorit të pushtuar mund të jetë proces i gjatë. Ai e ka përshkruar vendin e tij si “të lodhur dhe të inatosur, por jo si pranues të disfatës”.  Romenenko gjithashtu beson se rimarrja e tokës së humbur Ukrainase mund të jetë e ngadaltë dhe do të kërkojë “punë ushtarake dhe diplomatike”.

Ukraina nuk është gati t’i dorëzohet luftës. Por, ka rritje të njohjes se do t’i duhet, në një pikë, t’i konsiderojë mënyrat e tjera për t’i dhënë fund asaj. Megjithatë, sfida dhe vendosmëria e Ukrainës për të luftuar nuk ka pushuar as me ngecjet e fundit. Akoma nuk ka pësuar goditje fatale në Kharkiv. Në fakt është duke treguar, edhe njëherë, se mund t’i sfidojë shanset – edhe në momentin më të dobët.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme