Njihuni me njerëzit më të pasur në planet

10:55 | 18 Korrik 2017
Arbresh Info

Viti 2017 ishte një vit i jashtëzakonshëm për pasanikët e botës, ngase numri i miliarderëve të rinj është shtuar për 13% nga viti i kaluar, 2043 miliarderë nga 1810 sa ishin vitin e kaluar.

Pasuria totale e tyre arrin vlerën e 7.67 bilion dollarëve, një ngritje prej 18% nga viti i kaluar. Që nga viti i kaluar numri i miliarderëve të rinj është 233, që paraqet numrin më të madh të miliarderëve që janë shtuar brenda një viti në 31 vjetët e fundit.

Tashmë po thuajse është bërë e zakonshme që listës ti prijë Bill Gates, pasuria e të cilit është rritur në 86 miliardë dollarë nga 75 miliardë që kishte vitin e kaluar. Rritjen më të madhe të pasurisë në vitin 2017 e ka arritur Jeff Bezos i Amazon-it, duke u pasuruar brenda një viti për 27.6 miliardë dollarë, dhe duke kaluar në pozitë e njeriut të dytë më të pasur në botë nga pozita e pestë që ishte në vitin e kaluar me pasuri totale prej 72.8 miliardë dollarëve, shkruan portali arbresh.info.

Warren Buffett është personi i dytë që ka pasur rritjen më të madhe brenda një viti. Me 14.8 miliardë më shumë brenda një viti, ka mjaftuar që ai të rrëmbejë pozitën e tretë të njeriut më të pasur në botë nga Amancio Ortega, themeluesin e ZARA-së. Ortega edhe pse ka pasur një rritje prej 4.3 miliardë dollarëve brenda një viti, nuk i kanë mjaftuar që të jetë më lartë se pozita e katërt.

Edhe themeluesi i Facebook, Mark Zuckerberg, ka pasur rritje të pasurisë brenda një viti për 11.4 miliardë dollarë, duke u bërë njeriu i pestë më i pasur në botë. Ndërsa Carlos Slim Helu nga Meksika, që dikur ishte njeriu më i pasur në botë ka zbritur në pozitën e gjashtë, hera e parë prej shumë viteve që ndodhet jashtë top 5 njerëzve më të pasur të planetit.

Këtë vit për herë të parë u bënë miliarderë 195 persona, 76 vetëm nga Kina, ndërsa 25 nga SHBA. Listës së miliarderëve për herë të parë iu shtuan edhe 15 femra, 14 prej të cilave vinë nga Azia.

Listën e plotë të njerëzve më të pasur të planetit nga Forbes për vitin 2017 mund ta lexoni këtu./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme