Politika evropiane u zhvillua me premtime të panumërta gjatë fushatës në vitin 2019. Parlamenti i ri Evropian u zgjodh në maj dhe se Komision i ri Evropian vazhdoi detyrën në dhjetor, shkruan Anadolu Agency (AA).
Por, pavarësisht ndryshimeve në tablonë politike të institucioneve të BE-së, ndarjet në fushat kryesore të politikave mbetën të thella midis vendeve anëtare, dhe viti 2020 do të testojë nëse BE-ja mund t’i kapërcejë këto mosmarrëveshje, të zhbllokojë procesin e vendimmarrjes së ngecur dhe të fillojë zbatimin e reformave të shumëpritura. Por, korniza financiare shumëvjeçare 2021-2027 dhe marrëveshja ambicioze e gjelbër evropiane mund të thellojë këto ndarje.
– Migrimi
Reformimi i politikës së migracionit dhe azilit në BE është një nga detyrat më të vështira që Presidentja e re e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, trashëgoi nga paraardhësi i saj. Zyra e Jean-Claude Juncker u përpoq disa herë të rregullojë sistemin e azilit, i cili u shemb gjatë krizës së migracionit në vitin 2015, dhe propozoi kompromise për menaxhimin e migracionit. Por ai nuk mundi të gjente një zgjidhje që të gjitha vendet anëtare të BE-së do ta pranonin, kështu që tani Von der Leyen duhet të dalë me një koncept të ri.
1 – Kufijtë dhe siguria: Mbrojtja e kufijve të jashtëm të BE-së kundër migracionit të paligjshëm dhe krimit është një nga temat e pakta që të gjithë liderët e BE mund të përfshihen. Pjesa relativisht e lehtë e reformës së migracionit mund të jetë ndarja e fondeve të mëtejshme dhe zgjatja e mandatit të agjencive të BE-së që merren me menaxhimin e kufijve dhe sigurinë e brendshme. Por, pavarësisht se sa të njohura janë këto marrëveshje në sytë e votuesve evropianë, ata nuk do të zgjidhin problemin thelbësor të migracionit.
2 – Zhvendosja e azilkërkuesve: Rregullorja aktuale e Dublinit e cila përcakton se cili vend është përgjegjës për kërkesën për azil, i jep një barrë të padrejtë vendeve kufitare të BE-së. Themeli i reformës do të ishte rishpërndarja e azilkërkuesve midis shteteve anëtare bazuar në popullsinë e tyre dhe performancën ekonomike. Por, pavarësisht përpjekjeve diplomatike të Francës dhe Gjermanisë, ideja ka qenë e papranueshme për shumë qeveri evropiane, të cilat e perceptojnë sistemin e zhvendosjes si një ftesë për migrim të paligjshëm. Kjo çështje duket se ka mbetur një sfidë e vitit të ri.
3 – Rregullat për procedurën e azilit: Standardet kryesore të procedurave të azilit janë harmonizuar në vendet evropiane, por prapë është autoriteti kombëtar që merr vendimin përfundimtar. Për të shmangur dallimet e mëdha midis kohëgjatësisë dhe përmbajtjes së procedurës, një sistem i mirë dhe funksional i azilit të BE-së do të kërkonte një qasje më të unifikuar dhe të centralizuar. Por ideja shkon kundër koncepteve të sovranitetit kombëtar në shumë qendra.
4 – Bashkëpunimi me Turqinë për migracionin: Deri në fund të vitit 2019, BE mobilizoi plotësisht 6 miliardë euro (6.65 miliardë dollarë) ndihmë financiare për refugjatët sirianë në Turqi. Buxheti ishte në pajtim me Deklaratën BE-Turqi të vitit 2016, me qëllim ndalimin e fluksit të migrantëve të parregullt që shkonin drejt Evropës përmes Turqisë. Pagesat do të vazhdojnë për pesë vjet të tjera, por tensionet e fundit në marrëdhëniet diplomatike BE-Turqi e bënë rinovimin e marrëveshjes politikisht të vështirë.
5 – Forcimi i rolit global të BE-së: Drafti për buxhetin e ardhshëm shtatë-vjeçar propozon shumë më tepër fonde për vendet partnere jashtë BE-së për transformimet e tyre politike dhe ekonomike drejt zhvillimit të qëndrueshëm, konsolidimit të demokracisë dhe zhdukjes së varfërisë. Por është shumë e diskutueshme nëse mbështetja financiare për vendet në zhvillim ose vendet e shkatërruara nga lufta do t’i ndalonte njerëzit në mënyrë të efektshme të marrin rrugën e rrezikshme për në Evropë me shpresën për një jetë më të mirë.
– Sundimi i ligjit dhe korrupsioni
Sundimi i ligjit ishte një nga temat më të debatuara në politikën e BE-së vitin e kaluar. Me qëllim të forcimit të respektimit të rregullave dhe parimeve demokratike, procedura e nenit 7 hyri në një fazë të re për Hungarinë dhe Poloninë. Reputacioni i Rumanisë dhe Maltës gjithashtu u dëmtua nga skandalet politike, ndërsa në një artikull investigativ të “The New York Times” zbuloi korrupsion sistematik rreth pagesave të Politikës së Përbashkët Bujqësore në vendet anëtare të Evropës Lindore. Shumë pohojnë se ky fenomen minon unitetin dhe besueshmërinë e të gjithë bllokut.
6 – Polexit: Ndërhyrja politike në sistemin gjyqësor përfundimisht mund të çojë Poloninë të dalë nga BE sepse sistemi i saj juridik nuk do të jetë më në pajtueshmëri me standardet evropiane, paralajmëroi kohët e fundit Gjykata Supreme e Polonisë dhe Avokati i Popullit të vendit. Në vitin 2019, Gjykata Evropiane e Drejtësisë vendosi në dy raste kundër reformës gjyqësore polake, ndërsa qeveria polake kishte tre seanca dëgjimore për pavarësinë e gjyqësorit midis kolegëve të tyre në Këshillin e BE-së përmes procedurës së nenit 7. Duke nënvlerësuar paralajmërimet, dhoma e ulët e parlamentit polak kaloi një projektligj tjetër të diskutueshëm në ditën e tyre të fundit të punës në dhjetor. Ligji i ri penalizon gjyqtarët që vënë në dyshim legjitimitetin e reformave ligjore të qeverisë.
7 – Hungaria: 12 aspekte të demokracisë janë nën hetim sipas procedurës së nenit 7, ndërsa qeveria e kryeministrit Viktor Orban ka gjasa të përballet me kritika mbi korrupsionin sistemik dhe keqpërdorimin e fondeve të BE-së. Qeveria kundërshton kategorikisht pretendimet dhe interpreton procedurën si hakmarrje të motivuar politikisht për kundërshtimin që bënë Hungaria ndaj migracionit nga vendet jo anëtare. Procedura e sundimit të ligjit do të vazhdojë në vitin 2020, por nuk ka shumë të ngjarë që palët të ndryshojnë rrënjësisht qëndrimin e tyre ose të gjejnë një kompromis.
8 – Maltë: Ishulli Jugor i Evropës mund të jetë vendi tjetër nën vëzhgimin e BE-së për shkak të hetimit skandaloz të vrasjes së gazetares Daphne Caruana Galizia. Kryeministri Joseph Muscat premtoi se do të jap dorëheqje në janar, por Parlamenti Evropian tashmë ka miratuar një rezolutë që dënon kërcënimin serioz dhe të vazhdueshëm për demokracinë dhe përpjekjet e elitave qeverisëse të Maltës për të fshehur korrupsionin dhe pastrimin e parave.
9 – Keqpërdorimi i fondeve të BE-së: Zyra e Prokurorit Publik Evropian pritet të fillojë punën në vitin 2020. Organi i pavarur i BE-së ka për detyrë të ndjekë penalisht dhe të sjellë në gjykim krime kundër buxhetit të BE-së, si mashtrim, korrupsion ose mashtrim serioz ndërkufitar i TVSH-së. Sidoqoftë, Irlanda, Suedia, Hungaria dhe Polonia nuk i janë bashkuar këtij bashkëpunimi. Në rastin e dy këtyre të fundit, së fundmi janë zbuluar pretendime serioze në lidhje me keqpërdorimin e subvencioneve bujqësore.
10 – Kushtëzimi i sundimit të ligjit: Fondet e BE-së mund të pezullohen ose tërhiqen plotësisht nga vendet anëtare që shkelin sundimin e ligjit, sipas propozimit të Komisionit për buxhetin 2021-2027. Ideja u propozua si një mjet shtesë për t’i bërë presion vendeve anëtare të respektojnë vlerat e BE-së sepse procedura e nenit 7 doli të jetë joefektive. Ndërsa koncepti është shumë i popullarizuar në mesin e qeverive dhe qytetarëve të Evropës Perëndimore, të cilët e konsiderojnë veten kontribues kryesor në buxhetin e BE, Evropianët Lindorë e konsiderojnë atë të papranueshëm. Por për marrëveshjen përfundimtare në kornizën e ardhshme financiare shumëvjeçare kërkohet unanimetet.
– Brexit
Tani është pothuajse e sigurt se Britania do të largohet nga BE më 31 janar pas fitores së kryeministrit Boris Johnson dhe Partisë Konservatore në zgjedhjet e përgjithshme të dhjetorit. Por balada e tre viteve të Brexit nuk do të marrë fund sepse baza për bashkëpunim të mëtejshëm duhet të përcaktohet deri në fund të vitit 2020, datë kjo kur përfundon periudha e tranzicionit në bazë të marrëveshjes aktuale. Modelet e bisedimeve nga të dy palët mund të mbeten të njëjta. Britanikët do të kërkojnë një trajtim të veçantë, kurse BE do të ngurrojë të jap favore nga frika e krijimit të një shembulli për largimet e mëtejshme, si dhe të shkaktojë mosmarrëveshje me partnerët e tjerë tregtarë.
11 – Marrëveshja tregtare: Von der Leyen premtoi një “partneritet të pashembullt” për Britaninë e Madhe pas samitit të fundit të BE-së të vitit 2019 i cili do të bazohet në tarifa zero, kuota zero dhe me zero “damping”. Por presidenti i Komisionit nuk ishte i qartë se për cilin sektor të ekonomisë e kishte fjalën. Gjetja e një kompromisi për mallrat industrialë mund të jetë e lehtë në krahasim me shërbimet tregtare, që arrin në 80 për qind të ekonomisë Britanike. Johnson me siguri nuk do ta pranojë modelin e Norvegjisë që lejon hyrje të plotë në treg pa ndonjë të drejtë të vendosë për rregullat. As ai nuk mund të pranojë marrëveshjen standarde të tregtisë së lirë si Kanada pasi kjo mundësi mezi mbulon shërbimet.
12 – Prapavija Irlandeze: Marrëveshja përfundimtare e Brexit-it mund të shmangë kufirin e vështirë midis Irlandës Veriore dhe Republikës së Irlandës. Por mekanizmi i ri mund të përfundojë jo shumë vështirë në realitet sepse edhe nëse Irlanda Veriore qëndron në zonën doganore të Britanisë, rregullat dhe tarifat e ndryshme të BE-së do të zbatohen për mallrat në varësi të destinacionit të tyre. Për më tepër, është vetëm një regjim i përkohshëm që mund të realizohet vetëm me miratimin e asamblesë së Irlandës Veriore.
13 – Shtetasit e BE-së në Britani: Shtetasit e BE-së që banojnë legalisht dhe që punojnë në Britani mund të vazhdojnë të jetojnë në vend deri në fund të vitit 2020. Atyre u kërkohet vetëm të konfirmojnë statusin e tyre të qëndrimit. Por pas periudhës së tranzicionit, rregullat e reja dhe aq të panjohura për hyrjet do të hyjnë në fuqi sa që mund të jenë të pafavorshme për studentët evropianë që duan të ndjekin universitetet britanike me famë botërore. Qeveria e re nën Boris Johnson ka në plan të prezantojë një sistem të bazuar në pikat e imigracionit, i cili duhet të detajohet ende.
14 – Pavarësia e Skocisë: Kryeministrja skoceze, Nicola Sturgeon, është e vendosur të mbajë një referendum të ri për pavarësinë e Skocisë pasi partia e saj pro-BE, SNP fitoi 48 nga 59 vendet e Parlamentit të Skocisë në zgjedhjet e përgjithshme të dhjetorit. Pavarësia e Skocisë nuk e sfidon vetëm politikën e brendshme britanike. BE gjithashtu duhet të aktualizojë pozicionin e saj për një shtet të vogël separatist të gatshëm për t’u bashkuar me bllokun, dhe vendimi rrezikon të shkaktojë një efekt domino në rajone të tjera evropiane që kërkojnë pavarësi.
15 – Humbja e kontribuesit neto: Largimi i Britanisë do të rezultojë me një humbje neto prej rreth 10 miliardë euro në vit në buxhetin e BE-së. Nëse dikush shikon me përpikëri bilancin e kontributeve dhe pagesave të pranuara, Britania ka paguar më shumë në buxhetin e përbashkët sesa që mori nga fondet e BE-së. Kjo do të dëmtojë logjikisht përfituesit neto të fondeve të kohezionit dhe bujqësisë, të cilat janë kryesisht vendet e Evropës Lindore dhe Jugore. Hendeku i bën edhe më të vështira negociatat e tensionuara për buxhetin shtatë-vjeçarë.
– Marrëveshja e Gjelbër Evropiane
Njoftimi i parë i madh i Komisionit të ri ishte të paraqiste një udhërrëfyes për tranzicionin e qëndrueshëm dhe të drejtë ekonomik në mënyrë që ta bënte klimën e kontinentit neutrale deri në vitin 2050. Duke ndjerë presionin popullor dhe duke kërkuar një shkak për të forcuar legjitimitetin e saj, Presidentja von der Leyen doli me Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane, e cila ka për qëllim të forcojë ekonominë dhe të krijojë vende pune ndërsa shpëton planetin. 2020 duhet të jetë viti kur sloganet politike do të zbulojnë përmbajtjen e tyre.
16 – Reforma e industrisë: Një paketë ligjore gjithëpërfshirëse do të propozohet në fillim të vitit 2020 e cila do të krijojë bazën për veprimin e ndryshimeve klimatike në çdo sektor ekonomik, përfshirë transportin, energjinë, bujqësinë, ndërtimin dhe industritë si çeliku, çimentoja, tekstili dhe kimikatet. Plani do të përqendrohet gjithashtu në minimizimin e prodhimit të mbeturinave dhe nxitjen e një ekonomie qarkore. “Ligji Evropian për Klimën” me siguri do të rrisë kostot në çdo industri, kështu që mund të duhen vite me radhë për të miratuar përfundimisht një projektligj që ka kaq pasoja të tilla të thella. Zyrtarët e BE-së gjithashtu do të duhet të përballen me fushata nga përfaqësuesit e industrisë dhe lobistët.
17 – Konkurrenca ndërkombëtare: Industria evropiane tashmë është duke luftuar me konkurrencën inovative. Firmat evropiane mund të bien plotësisht pas konkurrencës ndërkombëtare nëse duhet të përfshijnë veprimet klimatike në biznesin e tyre. Kostoja mund të kompensohet nga një lloj tarifë klimatike për importet. Megjithatë, planet madje duket të jenë jashtëzakonisht të kujdesshme sepse tarifa klimatike mund të ndikojë seriozisht në marrëdhëniet e tregtisë ndërkombëtare dhe të shkaktojë tensione me partnerë tregtarë si Kina dhe SHBA.
18 – Ndarjet Lindje-Perëndim: Vendet anëtare të Evropës Lindore tashmë kanë shprehur shqetësime në lidhje me zhvendosjen e prioriteteve të buxhetit të BE 2021-2027, i cili zvogëlon ndjeshëm fondet e kohezionit dhe bujqësisë. Marrëveshja e Gjelbër Evropiane përfundimisht do të zgjerojë hendekun midis shteteve të zhvilluara perëndimore, të cilët tashmë kanë përdorur teknologji miqësore ndaj klimës dhe vendeve Lindore, konvergjenca e të cilave po mbetet pas. Marrëveshja e Gjelbër Evropiane gjithashtu mund të ngre tensionin tashmë të konsiderueshëm rreth kornizës tjetër financiare vjetore të BE-së.
19 – Financimi i tranzicionit: Përkundër faktit që Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, u pajtua me qëllimin e neutralitetit të klimës deri në vitin 2050, ai nuk mund të angazhohet për zbatimin e Marrëveshjes së Gjelbër Evropian në samitin e fundit të liderëve të BE-së për vitin 2019. Krerët e shteteve dhe qeveritë evropiane do t’i kthehen pyetjes në qershor të vitit 2020, duke shpresuar se Polonia, ekonomia e së cilës varet më shumë nga aktivitetet me intensitet karboni, do të ndryshojë mendim. Komisioni sugjeroi 100 miliardë euro Fond të Tranzicionit për të mbështetur tranzicionin e rajoneve më pak të zhvilluara, por ende nuk është e qartë nëse do të mbulohet plotësisht nga buxheti i vet i BE-së, ose do t’i japë vetëm leva financiare investimeve private.
20 – Përmbushja e premtimeve: Komisioni i Von der Leyen erdhi në pushtet mes ndarjeve të thella midis shteteve anëtare dhe institucioneve evropiane. Programi mbizotërues mbi tranzicionin e gjelbër ekonomik mund të duket si një instrument i mirë për të unifikuar kontinentin pas një kauze fisnike dhe të nevojshme. Por Komisioni duhet të japë detajet e një reforme jashtëzakonisht të komplikuar dhe gjithëpërfshirëse me një njoftim shumë të shkurtër të afatit të saj në “100 ditët e para” dhe të merret me të gjitha sfidat e tjera në të njëjtën kohë.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...