Njëzet e dy diplomatë rusë largohen nga Moldavia

22:35 | 14 Gusht 2023
KRG

Njëzet e dy diplomatë rusë janë larguar nga kryeqyteti i Moldavisë, Kishinjev, duke e lënë mbrapa një ekip të vogël, pas përkeqësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Zyrtarët moldavë kanë thënë se reduktimi i stafit në Ambasadën e Rusisë në 25 persona, nga 80, do të krijojë barazi me numrin e stafit që ka Ambasada e Moldavisë në Moskë.

Moldavia, vend i ish-Bashkimit Sovjetik është goditur nga afër prej luftës së Rusisë në Ukrainë, dhe presidentja e saj pro-evropiane, Maisa Sandu e ka dënuar pushtimin, si dhe e ka kritikuar Moskën që po tenton ta destabilizojë shtetin e saj.

Mediat moldave kanë publikuar video ku shihen dy autobusë duke u larguar nga Ambasada ruse në drejtim të aeroportit.

Një burim i agjencisë së lajmeve Reuters në aeroportin e Kishinjevit, ka thënë se stafi i ambasadës është nisur drejt qytetit rus Soçi për të vazhduar më pas në Moskë.

Më shumë se 23 pjesëtarëve të stafit mbështetës dhe familjarëve, u është kërkuar që të largohen bashkë me diplomatët.

Ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë se ky hap “armiqësor” i Kishinjevit do të ketë pasoja në marrëdhëniet ruso-moldave.

Ministria e Jashtme e Moldavisë i ka kërkuar Rusisë prej muajit të kaluar që ta kufizojë prezencën e saj në ambasadën në Kishinjev, duke i përmendur shqetësimet për tentimet e dyshuara të Rusisë për ta destabilizuar Moldavinë, e cila kufizohet me Rumaninë dhe Ukrainën.

Kishinjevi e ka distancuar veten nga Moska, prej kur Sandu ka ardhur në pushtet, më 2020.

Në shkurt, Sandu e ka akuzuar Moskën se po planifikon puç kundër Qeverisë së saj./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme