Njëzet e dy diplomatë rusë janë larguar nga kryeqyteti i Moldavisë, Kishinjev, duke e lënë mbrapa një ekip të vogël, pas përkeqësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Zyrtarët moldavë kanë thënë se reduktimi i stafit në Ambasadën e Rusisë në 25 persona, nga 80, do të krijojë barazi me numrin e stafit që ka Ambasada e Moldavisë në Moskë.
Moldavia, vend i ish-Bashkimit Sovjetik është goditur nga afër prej luftës së Rusisë në Ukrainë, dhe presidentja e saj pro-evropiane, Maisa Sandu e ka dënuar pushtimin, si dhe e ka kritikuar Moskën që po tenton ta destabilizojë shtetin e saj.
Mediat moldave kanë publikuar video ku shihen dy autobusë duke u larguar nga Ambasada ruse në drejtim të aeroportit.
Një burim i agjencisë së lajmeve Reuters në aeroportin e Kishinjevit, ka thënë se stafi i ambasadës është nisur drejt qytetit rus Soçi për të vazhduar më pas në Moskë.
Më shumë se 23 pjesëtarëve të stafit mbështetës dhe familjarëve, u është kërkuar që të largohen bashkë me diplomatët.
Ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë se ky hap “armiqësor” i Kishinjevit do të ketë pasoja në marrëdhëniet ruso-moldave.
Ministria e Jashtme e Moldavisë i ka kërkuar Rusisë prej muajit të kaluar që ta kufizojë prezencën e saj në ambasadën në Kishinjev, duke i përmendur shqetësimet për tentimet e dyshuara të Rusisë për ta destabilizuar Moldavinë, e cila kufizohet me Rumaninë dhe Ukrainën.
Kishinjevi e ka distancuar veten nga Moska, prej kur Sandu ka ardhur në pushtet, më 2020.
Në shkurt, Sandu e ka akuzuar Moskën se po planifikon puç kundër Qeverisë së saj./REL/
Trump ashpërson tonin dhe vendimet, rrit tarifat ndaj Kinës,...
“Jam shumë pishman që të kam dhënë mundësi”, Xheneta diskuto...
Kurti mori pjesë në akademinë përkujtimor dhe në ceremoninë ...
Nis me tensione protesta e opozitës
Shfaqen forca të shumta të policisë para nisjes së protestës...
Pesë vite nga tërmeti i 26 nëntorit, buxheti ka ende 50 mili...