Një shpërthim në Bejrut të martën shkaktoi vrasjen e zyrtarit të lartë të Hamasit, Saleh Arouri dhe tre personave të tjerë, thanë zyrtarë të Hamasit dhe ata të grupit libanez të Hezbollahut.
Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit tha se shpërthimi, në të cilin u vranë katër persona, u shaktua nga një dron izraelit. Zyrtarët izraelitë nuk pranuan të komentonin për incidentin.
Nëse Izraeli është përgjegjës për këtë sulm, incidenti mund të shënojë një përshkallëzim të madh të konfliktit në Lindjen e Mesme. Udhëheqësi i Hezbollahut, Sayyed Hassan Nasrallah është zotuar se do të hakmerret ndaj çdo sulmi izraelit ndaj zyrtarëve palestinezë në Liban.
Zyrtari i Hamasit, Bassem Naim konfirmoi për agjencinë e lajmeve Associated Press se zoti Arouri u vra në shpërthimin në Liban. Një zyrtar i Hezbollahut, duke folur në kushte anonimiteti, tha gjithashtu se në këtë sulm është vrarë zyrtari i Hamasit, Saleh Arouri.
Saleh Arouri, një nga themeluesit e krahut ushtarak të Hamasit, ka udhëhequr operacionet e grupit në Bregun Perëndimor. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kishte kërcënuar se do ta vriste atë edhe para fillimit të luftës Hamas-Izrael më 7 tetor.
Shpërthimi tronditi lagjen Musharafieh në pjesën jugore të kryeqytetit libanez, një bastion i grupit militant Hezbollah, i cili është një aleat i Hamasit. Shpërthimi shkaktoi një zjarr të madh në rrugën Hadi Nasrallah në jug të Bejrutit.
Incidenti pason një periudhë mbi dy muajshe shkëmbimesh të rënda me armë mes trupave izraelite dhe anëtarëve të Hezbollahut përgjatë kufirit jugor të Libanit.
Që nga fillimi i konfliktit më 8 tetor, luftimet janë përqendruar disa kilometra nga kufiri, por në disa raste forcat ajrore të Izraelit goditën objektivat e Hezbollahut më thellë në Liban.
Më herët gjatë ditës, Hezbollahu tha se luftëtarët e tij kryen disa sulme përgjatë kufirit Liban-Izrael duke vënë në shënjestër pozicionet ushtarake izraelite./voa
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...