Një shqiptar në Washington ka hapur “muze” çokollate
Në Washington, shumë pranë Shtëpisë së Bardhë, një shqiptar me emrin Gjergj Dollani ka hapur një kafe-butik çokollate. Cafe Chocolat, është një muze në miniaturë çokollatash. Por, përveç shitjes së çokollatave, Dollani po eksperimenton për t’i shtuar kafes shijen e tyre.
Gjergj Dollani, një sipërmarrës shqiptar, ka hapur në Washington një kafe-butik çokollate, në një pikë strategjike të qytetit, vetëm pak minuta larg Shtëpisë së Bardhë.
Për vite me radhë, Dollani ka punuar në industrinë e prodhimit të çokollatës, në Boston, Masaçusets, për firma të njohura, siç është dhe “Lindt”.
Para dy vitesh ai u zhvendos në Washington dhe mendimi i parë ishte krijimi i një kafeje-butik çokollatë. “Mendoj se në Uashington mungon ajo kultura e mirëfilltë e çokollatës”, thotë Gjergji.
“E kemi krijuar këtë vend për të ndarë këtë pasion me njerëz që e kuptojnë dhe e njohin vlerën e vërtetë të çokollatës”.
Në “Cafe Chocolat” nuk do të ketë vetëm çokollata me shije, vlerë e mbi të gjitha, çmime nga më të ndryshmet, por ideatori i këtij bari simpatik zotohet se do të sjellë për klientët e përzgjedhur gjëra në meny tërësisht origjinale, që ata nuk i kanë provuar më parë, ose që i kanë provuar në vende të tjera si turistë, por në Washington u mungojnë.
Për këtë arsye, Gjergji dhe stafi i tij me baristë të zgjedhur, që e njohin mirë kafenë dhe kanë vite që bëjnë këtë punë, po eksperimenton shije të ndryshme dhe të veçanta. “Tani po përsosim recetën e Marochinos, kafe e përgatitur me shijen e Nutelës”, thotë Dollani, i cili në këtë fazë është i interesuar të di reagimet e njerëzve. Kështu, edhe ne bëhemi dëshmitarë të shijes unike të Marochinos së tij të famshme.
Kjo kafe-butik është njëfarë muzeu në miniaturë i çokollatës, ku të apasionuarit jo vetëm do të gjejnë produkte artizanale dhe ekskluzive, por njëkohësisht, do të mësojnë më tepër për çokollatën.
Aty gjejnë çokollata nga 7 dollarë deri në 300 dollarë; Gjergji ka në butikë 9 nga 24 mijë çokollatat e vetme në botë të një firme të caktuar. Ka çokollata me qumësht gomarice, apo me spec djegës. Ka edhe të tjera që kanë forma tërheqëse kafshësh, bletësh apo nusepashke.
Gjergji ka në dyqan edhe disa firma amerikane, pasi atij i vjen keq që për çokollatën janë të famshme vende europiane, si Zvicra, në një kohë që Amerika ka prodhime shumë interesante artizanale, si “Fruition” apo çokollatat e famshme të Oregonit. “Do të më pëlqente të fusja në butik edhe diçka të prodhuar në Shqipëri”, thotë ai, “ndaj nëse ka njerëz që prodhojnë çokollata në mënyrë artizanale, të më kontaktojnë”.
Çokollata zvicerane, meksikane e italiane në butikun e konceptuar dhe menaxhuar nga një shqiptar në Washington, Amerikë… Një sipërmarrje që flet disa gjuha, përfshirë atë të shijes!
Vendoset gurthemeli i çerdhes së re në Rekë-Vatë të Komunës ...
Rama: Plan strategjik për integrimin në BE, negociatat i mby...
Një 38-vjeçar në Prizren hedhet nga ballkoni i shtëpisë, pës...
Sara e emocionuar flet për dëshirën e saj të fundvitit
Vendoset gurthemeli i objektit të Komunës së Shtimes, invest...
UNICEF: 2024-ta, një nga vitet më të këqija për fëmijët e pr...