Google ADS

Një shqiptar, i akuzuar si ekzekutor i avokatit grek

22:01 | 31 Tetor 2017
Trina Galanxhi

Burime të Top Channel nga policiaë greke njoftojnë se është arrestuar njëri prej vrasësve të avokatit grek, Michalis Zafeiropoulos, që u ekzekutua 3 javë më parë në zyrën e tij në Athinë. Bëhet fjalë për një 32-vjeçar shqiptar, i arratisur nga burgu, i cili është arrestuar para dy ditësh në qytetin e Patrës.

Sipas policisë, ai është një prej dy personave që hynë në zyrën e avokatit të njohur grek dhe ka qëlluar mbi të. Për mëse 3 ditë, policia greke ka zhvilluar operacione për arrestimin edhe të paktën të dy shqiptarëve të tjerë, që thuhet se implikohen në këtë vrasje.

Për sa i përket personave që kanë urdhëruar vrasjen, thuhet gjithashtu se ata janë pjesëtarë të botës së krimit, që tashmë vuajnë dënimet e tyre në burgun famëkeq të Koridhalosë në Athinë.

Për këtë arsye, dje u shoqëruan në polici 5 prej tyre, dy prej të cilëve konsiderohen pjesëtarë të mafies shqiptare, të përfshirë edhe në një tentativë vrasjeje ndaj një tjetër juristi grek.

Sipas informacioneve të pakonfirmuara zyrtarisht, Albert Bako, Olti Dulçe dhe Klodian Lekocaj, të konsideruar nga policia si keqbërës të rrezikshëm dhe që po merren në pyetje, janë përgjuar duke biseduar me persona të tjerë, që dyshohet se janë të përfshirë në hetimet për vrasjen e avokatit Zafeiropoulos.

Sipas policisë, këta persona u kanë dhënë urdhër dy të dërguarve të tyre shqiptarë, të shkojnë në zyrën e avokatit, ta frikësojnë dhe ta shantazhojnë atë, por situtata ka dalë nga kontrolli dhe avokati i njohur është qëlluar për vdekje.

Kështu shpjegohet nga autoritetet greke fakti që ata kanë lënë pas prova materiale, të tilla që i fajësojnë, si material gjenetik dhe shenjat e gishtërinjve. Sipas policisë, pas kësaj çështjeje fshihet një skandal i përmasave të mëdha, të cilin e kishte marrë përsipër zyra avokatore e Zafeiropoulos.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme