Një shkollë e mesme private në Kaliforni ka ofruar bursa për tre refugjatë nga Ukraina dhe Afganistani. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Genia Dulot, një pedagoge amerikane ka hapur shtëpinë e saj për dy prej tyre ndërsa ata përfundojnë studimet.
Nxënësja e shkollës së mesme Yeva Cherkasova-Shekera po studionte në Kiev kur Rusia filloi sulmin ndaj Ukrainës në vitin 2022.
“Nuk e kam menduar kurrë se një ditë do të përjetoja luftën dhe bombardimet”, thotë ajo.
Kur gratë në familjen e saj u zhvendosën në Poloni, ajo kontaktoi shkollën e mesme “High Bluff Academy” në San Diego të Kalifornisë dhe mori një bursë të plotë.
“Pas gjithë veprimeve çnjerëzore që pashë, erdha këtu dhe pashë se si njerëzit këtu donin të më përqafonin me zemrat dhe gjithë mirësinë e tyre. Mendoj se këtë do ta mbaj në mend. Gjithmonë duhet të ketë besim për më mirë”, thotë ajo.
Themeluesja e shkollës, Jill Duoto ka paguar biletat e adoleshentes për udhëtimin për në Amerikë dhe tani po paguan shkollimin e saj këtu.
“Gjithmonë kam dashur të ndihmoj të tjerët. Ka kaq shumë njerëz në nevojë. Gjithmonë kam dhuruar para për bamirësi, por nuk mund të kesh të njëjtën ndjenjë kënaqësie vetëm përmes nënshkrimit të një çeku për një organizatë bamirësie sepse nuk e sheh se ku shkojnë paratë. Pra, nuk ndërvepron me njerëzit që po ndihmon. Kështu që kjo ka qenë një përvojë vërtet pozitive për mua”, thotë ajo.
Rreth një e treta e nxënësve këtu janë të huaj. Mohammad dhe Aqila Mohammadi janë vëlla e motër, që në vitin 2021 u zhvendosën në Pakistan me familjen e tyre pas rënies së Afganistanit në duart e talebanëve. Zonja Duoto i ndihmoi ata me viza studentore dhe i solli në Kaliforninë Jugore.
“Për mua, Jill është më shumë se nënë. Ajo bëri një gjë vërtet të mrekullueshme për ne. Pa të, ne ishim të humbur dhe nuk do të ishim këtu”, thotë ajo.
Zonja Duoto nuk mundi të gjente familje pritëse për nxënësit afganë, kështu që ajo i mori ata në shtëpinë e saj. Ajo gjithashtu ndihmoi tre nxënësit në përgatitjet për studime universitare. Aqila Mohammadi dëshiron të shkojë në unviersitet dhe të diplomohet në biologji, Cherkasova-Shekera në marketing dhe Mohammadi thotë se dëshiron të bëhet inxhinier elektrik.
“Unë dua të diplomohem në informatikë dhe inxhinieri. Unë vërtet dua të plotësoj mangësitë e arsimimit tim në Afganistan, veçanërisht në matematikë, dhe të përmirësoj anglishten”, thotë Mohammmadi.
Zonja Duoto po bashkëpunon edhe me një qendër arsimore në Afganistan për të ndihmuar vajzat afgane të përfundojnë studimet e tyre përmes internetit dhe të marrin diploma të shkollës së mesme nga shkolla “High Bluff Academy”, në mënyrë që ato të mund të aplikojnë në universitetet jashtë vendit.
PS propozon datën 11 maj për zgjedhjet parlamentare
Real Madridi merr një goditje të rëndë, konfirmohet lëndimi ...
Sara: Dua të heq anash çdo emocion
Fjalimi i Presidentes, Tahiri: Deklaratat se nuk mund t’i be...
Kuvendi pritet të mbajë tri seanca, njëra për mandatin qever...
Osmani në Forumin Ndërkombëtar në Halifax: Diskutova për she...