Autoritetet franceze kanë eliminuar disa komplote që kishin për objektiv Olimpiket e Parisit. Mes të arrestuarve është edhe një rus, thanë autoritetet të mërkurën, vetëm pak ditë nga ceremonia e hapjes së Lojërave Verore të Parisit.
Franca ka qenë në gatishmëri të lartë gjatë javëve të fundit ndërsa përgatitjet për Lojërat Olimpike janë në fazën përfundimtare. Lojërat nisin zyrtarisht të premten në lumin Seine me një ceremoni madhështore dhe masa të rrepta sigurie.
Prokurorët thanë se kishin arrestuar të martën një rus 40-vjeçar në apartamentin e tij në Paris, nën dyshimet se kishte planifikuar të “destabilizonte Lojërat Olimpike”.
Ndaj tij janë ngritur akuza se punonte për shërbimet e zbulimit të një shteti të huaj me qëllim provokimin e trazirave në Francë, krime që mund të dënohen me deri 30 vjet burg, sipas një deklarate nga zyra e prokurorit të Parisit.
Gjatë kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit në Paris, organet e rendit gjetën sende që “ngjallën frikën e qëllimit të tij për të organizuar ngjarje që mund të çonin në destabilizimin e Lojërave Olimpike”, thanë prokurorët.
Ambasada ruse në Paris tha se nuk kishte marrë asnjë njoftim nga autoritetet franceze për arrestimin dhe u ka kërkuar zyrtarëve shpjegime pasi njoftimeve, ndërsa nuk ka komente të mëtejshme.
Organizatorët e Lojërave Olimpike po përballen me sfida të mëdha sigurie, përfshirë shqetësimet e sulmeve kibernetike, mes tensioneve të larta ndërkombëtare për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë dhe konfliktit Izrael-Hamas në Gazë.
Sipas zyrtarëve francezë dhe ekspertëve të sigurisë kibernetike në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, fushatat dezinformuese të orkestruara nga Rusia kanë për objektiv Lojërat Olimpike dhe zgjedhjet e fundit në Francë.
Rreth 35,000 punonjës të rendit do të jenë në rrugët e kryeqytetit francez gjatë Lojërave Olimpike me rreth 45,000 gjatë ceremonisë së hapjes. Përveç kësaj, 10,000 ushtarë po marrin pjesë në operacionet e sigurisë në rajonin e Parisit.
Rreth 40 vende po ndihmojnë Francën gjatë këtij sezoni duke dërguar të paktën 1900 punonjës rendi./voa
Nesër seanca e përbashkët plenare, deputetët shqiptarë dhe k...
Ledri Vula lanson këngën e re “Oj oj oj”
Osmani: E ardhmja e Kosovës në BE është e pashmangshme e për...
71 aksidente brenda 24 orëve në Kosovë
Ancelotti bëhet trajneri më i trofeshëm në histori të Real M...
Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit që shkaktoi aksident t...