Pasi kaluan përvojën traumatike të largimit nga vendi i tyre, mijëra afganë ndihen më mirë tani, që janë në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, shumë prej tyre kanë filluar ta kuptojnë, se statusi i përkohshëm, u ndalon punësimin, ose ndjekjen e studimeve. Zëri i Amerikës i hedh një vështrim kufizimeve me të cilat po përballen të evakuuarit afganë në Shtetet e Bashkuara.
Bibi Sara Kamal u evakuua nga Kabuli me një avion ushtarak C-17 dhe tani ndodhet në Shtetet e Bashkuara.
“Dua të vazhdoj shkollimin dhe dua të punoj. Dua të ndërtojë jetën këtu, dua të kem një makinë”, thotë ajo.
Por statusi i tanishëm ia ndalon këtë. Në Afganistan, Bibi Sara Kamal ishte në semestrin e fundit të studimeve për t’u bërë dentiste.
Në Shtetet e Bashkuara ajo erdhi me një status të përkohshëm dyvjeçar, si e pranuar me kusht për arsye humanitare, e jo si refugjate. Kjo do të thotë, që ajo nuk merr përfitime dhe nuk i lejohet të punojë ose të shkollohet për dy vjet.
Mijëra të evakuuar si Bibi Kamal hynë në aeroportin e Kabulit pa dokumente. Të lidhur me anëtarë të familjes, që janë shtetas amerikanë, ose me Vizë Speciale të Imigrimit, ata u pranuan në territorin amerikan me kusht, për arsye humanitare, pa kujdes shëndetësor, pa ndihmë financiare dhe ushqimore, si dhe pa një rrugë për marrjen e nënshtetësisë.
Adam Bates punon me Projektin Ndërkombëtar të Ndihmës për Refugjatët. Ai u paraqit si vullnetar në Fort Lee të Virxhinias për të ndihmuar qindra të evakuuar pa dokumente.
“Llogjika të thotë se nëse qeveria amerikane të ka sjellë në Amerikë nga një rajon 9,600 kilometra larg, ju do të lejoheshit të punoni, por për fat të keq nuk është kështu”, thotë ai.
Kjo e shqetëson ekspertin e Qendrës për Studime të Imigrimit, Andrew Arthur.
“Çdokush në këtë vend, që nuk ka mbështetje, ka të ngjarë t’i kthehet ekonomisë së zezë, ose krimit, për të bërë të mundur mbijetesën këtu”, tha ai për Zërin e Amerikës.
Një zgjidhje mund të jetë ndarja e fondeve federale. Administrata e Presidentit Biden po i kërkon Kongresit më shumë se 6 miliardë dollarë për përpunimin, verifikimin dhe sjelljen e afganëve në SHBA.
Një sondazh i radios publike NPR tregon se shumica e amerikanëve mbështesin pranimin e afganëve në Shtetet e Bashkuara. Por shumica e atyre që e kundërshtojnë këtë thonë se “Shtetet e Bashkuara nuk mund të përballojnë koston e mbështetjes së më shumë refugjatëve”.
Ligjvënësit republikanë, si senatori Ron Johnson, thonë se theksi duhet të jetë në kontrollet e biografisë së personave të zhvendosur.
“Ata mund të jenë në listën e personave, që vëzhgohen për lidhje me terrorizmin, ose diçka të ngjashme, që mund të jetë një problem i vërtetë për ne, sepse ne tashmë u kemi dhënë atyre të drejta ligjore këtu, në këtë vend”, thotë senatori Johnson.
Në Virxhinia, Bibi Kamal po lexon për kulturën amerikane dhe përparimet e Amerikës në fushën elektronike.
“Hapja e çezmës është si hapja e sistemeve elektrike të një makine që bëhet vetëm me një prekje”, thotë ajo.
Afgania 23-vjeçarja po “përshtatet” me jetën e saj të re, në pritje që të tjerët të vendosin se kur, ose nëse, do të mundet të marrë titullin Dr. Kamal./VoA/
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?