Të paktën një person mbeti i vrarë dhe 16 të tjerë u plagosën si pasojë e sulmeve ruse ndaj Ukrainës këtë të enjte, njoftuan zyrtarët vendas, ndërsa Kievi shënon 32 vjetorin e pavarësisë nga Moska.
Sulmet ku mbetën të plagosur civilët u kryen në qytetet Kherson dhe Dnipro dhe në një qytet që ndodhet në vijën e frontit, Kurakhove. Një fermer u vra nga sulmet në Kherson, ndërsa mes tre të plagosurve ishte edhe një fëmijë.
Dhjetë persona të tjerë u plagosën në qendër të qytetit të Dnipros, ndërsa autoritetet shtuan gjithashtu se nga sulmet u dëmtuan më shumë se 10 ndërtesa duke përfshirë një bankë, një hotel dhe një ndërtesë administrative.
Tre banorë u plagosën në një tjetër sulm ndaj një supermarketi në qytetin e Kurakhoves, në lindje të rajonit të Doneskut, njoftoi prokurori i rajonit.
Guvernatori i Dnipros, Serhiy Lysak postoi në rrjetin Telegram foto që tregonin një ndërtesë pjesërisht të shkatërruar, ku njerëzit po pastronin xhamat e thyer dhe një strukturë metalike të dëmtuar.
“Fotografia dëshmon të vetmen gjë për të cilën Rusia është e aftë. Të shkatërrojë gjithçka që prek,” tha ai.
Një vajzë shtatë vjeçare u plagos si pasojë e sulmeve ruse në qendër të Khersonit, tha guvernatori rajonal Oleksandr Prokudin.
Zyra e prokurorit të përgjithshëm të Ukrainës tha se dy persona të tjerë u plagosën si pasojë e një predhe që goditi çatinë e një shtëpie private dhe postoi në internet një fotografi që tregonte një ndërtesë pjesërisht të shkatërruar.
Agjencia e lajmeve Reuters nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur këto njoftime.
Rusia ka kryer rregullisht sulme në qytetet ukrainase larg vijës së frontit, megjithëse mohon që sulmet të kenë pasur qëllimisht si objektiv civilët.
Kjo e enjte në Ukrainë është festë kombëtare për të shënuar pavarësinë e vendit nga Moska. Përvjetori përkoi ekzaktësisht me 18 mujorin e nisjes së agresionit rus ndaj Ukrainës.
Në një fjalim të regjistruar paraprakisht, Presidenti Volodymyr Zelenskyy falënderoi popullin ukrainas që nuk u dorëzua dhe nuk u gjunjëzua dhe falenderoi çdo qytetar për rolin që kishte luajtur për ta bërë Ukrainën të pamposhtur.
“Kur ne festojmë pavarësinë e Ukrainës, të gjithë mund të ndihen pjesë e saj,” tha ai. “Sot dua t’jua kushtoj këto urime juve që po i jepni Ukrainës pavarësinë e saj”, tha mes të tjerash në mesazhin e tij presidenti Zenenskyy./voa
Shqipëria pranohet si Vëzhguese në Rrjetin Evropian të Admin...
Kush do të largohet e kush “rikthehet”? Sonte ju pret një pr...
Kosovarët pa viza edhe në Tajvan
Osmani bashkë me Hovenierin dhe ushtarët në kampin Bondsteel...
Çiftet e rrethit të parë të Kupës së Kosovës, lehtë për favo...
Trafiku Urban thotë se janë eliminuar paqartësitë rreth proc...