Google ADS

Një i vrarë dhe 15 të plagosur nga sulmet ruse në Kremençuk

20:13 | 22 Shtator 2023
KRG

Një person është vrarë dhe 15 të tjerë janë plagosur të premten si pasojë e një sulmi rus me raketë në qytetin qendror të Ukrainës, Kremençuk, njoftuan autoritetet.

“Pesëmbëdhjetë janë plagosur, në mesin e tyre një fëmijë”, tha Dmytro Lunin, guvernatori i rajonit qendror, Poltava, i cili përfshin edhe Kremençukun.

“Një person është vrarë”, shtoi ai.

Më herët gjatë ditës së premte, Lunin tha se Rusia e sulmoi me raketa infrastrukturën civile në qytetin qendror ukrainas.

“Një raketë u rrëzua nga forcat e mbrojtjes ajrore. Të gjitha shërbimet relevante po punojnë në vendin e ngjarjes”, tha ai.

Në fillim të kësaj jave, trupat ruse e goditën një rafineri nafte në Kremençuk.

Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmygal, tha të premten se Rusia e ka rinisur fushatën sistemike të sulmeve ajrore ndaj infrastrukturës së energjisë së Ukrainës, por shtoi se mbrojtja ajrore e Ukrainës është e përgatitur më mirë këtë vit sesa vitin e kaluar.

Gjatë vitit të kaluar, forcat ruse kryen sulme të vazhdueshme ndaj rrjetit të energjisë së Ukrainës, duke i lënë miliona njerëz pa rrymë, ngrohje dhe ujë për kohë të gjatë./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme