Google ADS

Një gazetar i rrjetit “Al Jazeera” vritet në një sulm me raketa në Gazë

08:33 | 16 Dhjetor 2023
E.K

Një gazetar i rrjetit “Al Jazeera” u vra dhe një tjetër u plagos të premten nga një raketë në Khan Younis në jug të Gazës, sipas njoftimeve të mediave.

Samer Abudaqa u vra nga një raketë e lëshuar nga një dron dhe shefi i zyrës së rrjetit Al Jazeera në Gazë, Wael Dahdouh u plagos.

Abudaqa u plagos në dyshemenë e një shkolle në Khan Younis, sipas agjencisë së lajmeve Reuters. Ai u godit nga raketa, por Al Jazeera raportoi se mjekët nuk ishin në gjendje të arrinin menjëherë në vendngjarje për shkak të bombardimeve izraelite.

Përpjekjet për të organizuar kalimin e sigurt për zotin Abudaka zgjatën më shumë se pesë orë. Pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, mjekët konfirmuan se gazetari tashmë kishte vdekur.

“Ekipet mjekësore u penguan nga forcat izraelite që të arrinin menjëherë tek ai”, tha rrjeti Al Jazeera për vdekjen e gazetarit.

Abudaqa ka punuar për rrjetin “Al Jazeera” që nga viti 2004. Ai ka lindur në vitin 1978 dhe ishte baba i tre djemve dhe një vajze.

Gazetari Dahdouh, lëndimet e të cilit u konsideruan të lehta, u transferua në spitalin “Nasser”.

Plagosja e gazetarit Dahdouh erdhi rreth gjashtë javë pasi disa nga anëtarët e familjes së tij, përfshirë bashkëshorten dhe fëmijët e tij, u vranë në një sulm ajror izraelit, që goditi shtëpinë e tyre në kampin Nuseirat në Gazën qendrore. Dahdouh u kthye në punë menjëherë pas tragjedisë.

Përpara vdekjes së gazetarit Abudaqa, zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, tha të premten se “Është kritike që gazetarët të jenë në gjendje të bëjnë punën e tyre pa patur frikë nga sulme të dhunshme”.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, ofroi ngushëllime për familjen e gazetarit Abudaqa dhe kolegët e tij në rrjetin “Al Jazeera”.

Zoti Kirby tha se ndanë dhimbjen me “gazetarët në mbarë botën që janë në zi për këtë humbje”. “Ne e dimë se është vërtet një humbje e rëndë”.

Duke nënvizuar nevojën që gazetarët dhe fotografët të jenë në gjendje të mbulojnë konfliktin në mënyrë të sigurt dhe punën e tyre jetike, zoti Kirby tha: “Nuk është kurrë e pranueshme që ata të jenë në shënjestër qëllimisht”.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë qenë në kontakt çdo ditë me homologët izraelitë dhe nuk ka “shenja se ata janë duke vënë në shënjestër qëllimisht gazetarët”.

Edhe oganizatat e mbrojtjes së lirisë së shtypit dënuan sulmin.

Në një deklaratë të postuar për platformën X, Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve tha: “Ne dënojmë sulmin dhe përsërisim kërkesën tonë se jeta e gazetarëve duhet të mbrohet.”

Ministria e Jashtme e Izraelit nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese me email të Zërit të Amerikës për koment mbi këtë ngjarje.

Para vdekjes së gazetarit Abudaqa, të paktën 63 gazetarë ishin vrarë gjatë raportimit të luftës Izrael-Hamas, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve. Numri i të vdekurve përfshinte 56 palestinezë, katër izraelitë dhe tre libanezë.

Mbi 2300 grupe dhe gazetarë kanë nënshkruar një letër duke protestuar për numrin e madh të gazetarëve të vrarë në luftë.

Mes të vrarëve ishte edhe gazetari i agjencisë së lajmeve Reuters, Issam Abdallah, i cili u vra nga një sulm izraelit ndërsa po raportonte në Libanin jugor më 13 tetor.

Raportet nga Amnesty International, Human Rights Watch, Reuters dhe Agence France-Presse nga fillimi i këtij muaji dolën në përfundim se sulmi, në të cilin u plagosën gjashtë gazetarë të tjerë, ka të ngjarë të ishte i qëllimshëm. Izraeli mohon se ka vënë në shënjestër gazetarët.

Shkatërrimi i shkaktuar nga lufta ka nënvizuar rolin jetik që luajnë gazetarët, tha Maya Gebeily, shefe e zyrës së agjencisë së lajmeve Reuters për Libanin, Sirinë dhe Jordaninë.

“Ata janë një zë vendimtar për civilët që janë më të dëmtuar dhe jetët e të cilëve po shkatërrohen nga ky konflikt”, tha zonja Gebeily për Zërin e Amerikës.

“Kur keni gazetarë që janë atje, të cilët ofrojnë këto burime të drejtpërdrejta, kjo thjesht e bën llogaridhënien shumë më të mundshme”, shtoi zonja Gebeily./voa

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme