Pothuajse 33.000 fëmijë janë vrarë dhe gjymtuar në Afganistan gjatë 20 viteve të fundit, mesatarisht një fëmijë në çdo pesë orë, sipas “Save the Children”, ndërsa forcat e fundit ushtarake ndërkombëtare u larguan nga vendi i shkatërruar nga lufta, transmeton Anadolu Agency (AA).
Të dhënat e reja të publikuara nga grupi ndërkombëtar i avokimit thanë se të paktën një fëmijë “ose u vra ose u gjymtua çdo pesë orë në 20 vitet e fundit në Afganistan”.
Forcat e fundit të huaja u larguan nga Afganistani të hënën në mbrëmje, duke i dhënë fund 20 viteve të gjata të pushtimit dhe luftës në vend. Forcat e huaja të drejtuara nga SHBA-ja pushtuan Afganistanin në 2001.
“Numrat janë një pasqyrë shkatërruese e kostos vdekjeprurëse të luftës ndaj fëmijëve”, tha grupi.
Më tej thuhet se numri i vërtetë i viktimave të konfliktit të drejtpërdrejtë të fëmijëve ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë se sa 32.945 pasi “ky numër nuk përfshin fëmijët që kanë vdekur për shkak të urisë, varfërisë dhe sëmundjeve në atë kohë”.
– Thirrje për mbështetje urgjente
Grupi tha se gati gjysma e popullsisë së Afganistanit, përfshirë afro 10 milionë fëmijë, kanë nevojë për ndihmë humanitare pasi thatësira, vala e tretë e COVID-19 dhe konflikti e zhytin vendin më thellë në krizë.
“Gjysma e të gjithë fëmijëve nën moshën 5-vjeç pritet të vuajnë nga kequshqyerja akute këtë vit”, paralajmëron organizata.
Hassan Noor, drejtori rajonal i grupit për Azinë, në deklaratën e tij tha: “Ndërsa avionët e fundit ushtarakë sot fluturojnë nga Kabuli, është një e vërtetë e trishtuar që, së bashku me aeroplanët, largohet edhe mbulimi, vëmendja dhe mbështetja ndërkombëtare që Afganistani ka marrë gjatë javëve të fundit.
Por ndërsa pjesa tjetër e botës vazhdon përpara, miliona fëmijë afganë do të shkojnë në shtrat sonte të uritur, të pikëlluar dhe të pasigurt për të ardhmen e tyre”.
“Ajo që mbetet pas 20 vjetësh është një brez fëmijësh, jeta e të cilëve është shkatërruar nga mjerimi dhe ndikimi i luftës. Niveli i vuajtjeve njerëzore të dy dekadave të fundit është përtej kuptimit”, tha ai.
Zyrtari i “Save the Children” bëri thirrje për “mbështetje urgjente për fëmijët e Afganistanit”.
“Ndihmoni në ushqim, ujë të pastër, strehim dhe me edukim. Nëse kjo nuk ndodh, përpjekjet e 20 viteve të fundit do të kenë qenë vërtet të kota. Fëmijët dhe familjet e tyre në Afganistan po përballen me thatësirë, COVID-19 dhe një dimër të ashpër, nuk ka kohë për të pritur”, shtoi ai.
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...