Google ADS

Nisin hetimet ndaj kompanisë Boeing për pjesën që u shkëput nga avioni në fluturim

21:04 | 11 Janar 2024
D.H

Zyrtarët federalë po hetojnë nëse kompania Boeing kishte marrë masat e duhura, që një panel që u shkëput nga një avion në fluturim javën e kaluar, të ishte prodhuar dhe montuar sipas projektit të miratuar nga agjencitë rregullatore.

Administrata Federale e Aviacionit (FAA) tha të enjten se hetimi po përqendrohet tek panelet e përdorur për të plotësuar kuadret bosh të dyerve për daljen në rastet e emergjencës. Këto panele vendosen në vend të dyerve në rastet kur nuk është e detyrueshme që të ketë një derë funksionale në avionët e tipit Boeing 737 Max 9.

Paneli që u shkëput gjatë fluturimit në avionin e kompanisë Alaska Airlines u gjend pranë Portlandit, në shtetin Oregon dhe do të ekzaminohet në një laborator të qeverisë.

“Ky incident nuk duhet të kishte ndodhur kurrë dhe nuk do të ndodhë sërish”, u shpreh në një deklaratë FAA. “Praktikat e prodhimit të Boeing-ut duhet të jenë në përputhje me standardet më të larta të sigurisë, për të cilat kanë detyrimin ligjor që t’i zbatojnë”.

FAA njoftoi kompaninë Boeing për hetimin nëpërmjet një letre të dërguar të mërkurën dhe kërkoi një përgjigje brenda 10 ditëve.

Agjencia tha se përgjigja e kompanisë Boeing duhet të përmbajë edhe “shkakun themelor për problemin e hasur” dhe hapat që kompania po ndërmerr për të parandaluar një përsëritje të situatës.

FAA ka urdhër ndalimin e fluturimit për avionët Max 9, përfshirë të 65 avionët e kompanisë Alaska Airlines dhe të 79 avionët e kompanisë United Airlines, derisa kompania Boeing të hartojë udhëzimet për inspektimet dhe avionët të jenë ekzaminuar. Kompania Alaska Airlines ka anulluar të gjithë fluturimet me këta avionë deri ditën e shtunë.

Hetuesit e Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit thanë këtë javë se nuk kishin gjetur katër vidat që vendosen për të siguruar panelin me peshë rreth 28.5 kilogramë. Ata nuk janë të sigurtë nëse vidat ishin montuar përpara se të nisej avioni.

Megjithë hapësirën e mbetur bosh në vendin ku gjendej paneli, pilotët arritën ta kthejnë avionin në Portland dhe të bëjnë një ulje emergjence. Nuk u njoftuan lëndime serioze nga ky incident./voa

Të ngjashme