Izraeli dhe grupi militant, Hamas kanë filluar së zbatuari armëpushimin në Gaza të arritur me ndërmjetësimin e Egjiptit.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, përshëndeti arritjen e armëpushimit, duke thënë se masa u pasua nga diskutimet intenzive mes Shteteve të Bashkuara, Egjiptit, Autoritetit Palestinez dhe vendeve tjera të Lindjes së Mesme.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, presidenti, Joe Biden, tha se ai e ka telefonuar kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, të cilin e ka përgëzuar për arritjen e armëpushimit.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur kundër sulmeve me raketave nga Hamasi dhe grupe të tjera terroriste me bazë në Gaza që kanë marrë jetën e viktimave të pafajshme në Izrael”, tha presidenti Biden.
Biden tha se Qeveria e Egjiptit luajti një rol vendimtar në ndërmjetësimin e marrëveshjes dhe tha se diplomacia amerikane operoi “orë pas ore” për të ndalur luftimet.
Pas hyrjes në fuqi të armëpushimit në orën 2:00 të së premtes, palestinezët dolën për të festuar nëpër rrugët e Gazës. Në një fjalim para mijëra personave, një zyrtar i lartë i Hamasit pretendoi se grupi e ka fituar luftën.
“Ky është një gëzim i fitores”, tha Khalil al-Hayya, një anëtar i byrosë politike të lëvizjes islamike në Rripin e Gazës. Ai u premtoi palestinezëve se do të ndërtohen shtëpitë e shkatërruara nga sulmet ajrore izraelite.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, bëri të ditur se gjatë ditëve në vijim ai do të udhëtojë në rajon për të takuar ministrin e Jashtëm izraelit dhe atë palestinez si dhe udhëheqës të tjerë.
Shtetet e Bashkuara kanë bërë vazhdimisht presion që të ndalen luftimet.
Presidenti Biden tha se ai ka folur gjashtë herë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe gjithashtu me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas.
Shtetet e Bashkuara mbesin të angazhuara për të punuar me Kombet e Bashkuara dhe aktorët e tjerë ndërkombëtarë që të dërgojnë ndihmë humanitare për njerëzit e Gazës në partneritet me Autoritetin Palestinez “në atë lloj mënyrë që nuk mundëson armatosjen e Hamasit”, tha Biden.
Uashingtoni është gjithashtu i përkushtuar për të ndihmuar Izraelin të rimbushë sistemin e mbrojtjes raketore, shtoi presidenti.
Kabineti i sigurisë i Izraelit tha më herët se kishte votuar njëzëri në favor të një armëpushimi “të ndërsjellë dhe të pakushtëzuar” të propozuar nga Egjipt.
Hamas dhe Xhihadi Islamik konfirmuan armëpushimin përmes një deklarate.
Sipas burimeve diplomatike dy delegacione egjiptiane do të dërgohen në Izrael dhe territoret palestineze për të monitoruar armëpushimin.
Luftimet shpërthyen në 10 maj pas disa javësh tensionesh izraelito-palestineze në Jerusalem që kulmuan me përleshje në një vend të shenjtë të nderuar nga myslimanët dhe hebrenjtë.
Hamasi, që udhëheq me Gazën dhe konsiderohet si grup terrorist nga Izraeli, SHBA-ja BE-ja dhe vende tjera, filloi të qëllonte me raketa në drejtim të Izraelit.
Të paktën 232 njerëz, përfshirë më shumë se 100 gra dhe fëmijë, janë vrarë në Gaza, sipas zyrtarëve shëndetësorë, të kontrolluar nga Hamasi.
Izraeli ka thënë se të paktën 150 militantë janë midis atyre që u vranë në Gaza. Hamasi nuk jep shifra të viktimave në mesin e luftëtarëve.
Në Izrael, 12 njerëz, përfshirë dy fëmijë, janë vrarë, tha shërbimi mjekësor. Izraeli thotë se rreth 4.000 raketa janë shkrepur drejt territorit të tij nga militantët në Gaza.
Këto ishin luftimet më të rënda midis Hamasit dhe Izraelit, në vitet e fundit dhe kanë nxitur rritjen e dhunës në qytetet izraelite midis hebrenjve dhe arabëve. /REL/
Gjyqtarët kosovarë delegohen për ndeshjen e UEFA Youth Leagu...
Kurti mirëpriti arkitektin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovë...
Tërmet në Japoni, sa ishte magnituda
Kombëtarja e Kosovës nis përgatitjet për miqësoret ndaj Esto...
Për çfarë Sara po e akuzon Gjestin se i mori?
Kearns, Vuçiqit: Mohimi është vazhdimësi e krimeve, ajo që f...