Fondi për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara (UNICEF) ka bërë të ditur se 894 fëmijë u liruan nga radhët e një grupi lokal vullnetarësh në verilindje të Nigerisë, një moment historik në fushatën globale për t’i dhënë fund përfshirjes së fëmijëve në konfliktet e armatosura, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në mesin e fëmijëve ishin edhe 106 vajza që shërbenin si kuzhiniere apo për ndihmë në milicinë e mbështetur nga qeveria. Milicia u krijua në vitin 2013 si pjesë e iniciativës qytetarët në kulmin e kryengritjes së Boko Haram-it.
UNICEF-i mirëpriti lirimin përmes një kumtese të publikuar sot, duke e quajtur një hap të madh për t’i dhënë fund abuzimit të fëmijëve në konfliktet e armatosura.
“Fëmijët në verilindje të Nigerisë kanë bartur barrën e këtij konflikti. Ata u shfrytëzuan nga shumë grupe të armatosura në role luftuese dhe jo-luftuese, si dhe kanë qenë dëshmitarë të vdekjes, vrasjes dhe dhunës. Kjo pjesëmarrje në konflikt ka patur implikime serioze për mirëqenien e tyre fizike dhe emocionale”, thuhet në kumtesë.
Ky lirim ishte hapi i dytë i madh, pasi grupi i vullnetarëve nënshkroi një pakt për të larguar fëmijët nga radhët e tyre, thuhet në kumtesë.
Ngjarja e fundit e çon në 1.727 numrin e fëmijëve të liruar deri më tani. Sipas UNICEF-it, që nga viti 2017 nuk është rekrutuar asnjë fëmijë.
Nga UNICEF-i thonë se fëmijët e liruar dhe të rinjtë do të përfitojnë nga programet e ri-integrimit që do t’u ndihmojnë t’i kthehen jetës civile, të shfrytëzojnë mundësi të reja për zhvillimin e tire dhe të kontribuojnë në vendosjen e paqes së qëndrueshme në Nigeri.
“Pa këtë mbështetje, shumë nga fëmijët e liruar nga grupet e armatosura do ta kenë të vështirë të inkuadrohen në jetën civile, pasi shumica nuk janë të shkolluar dhe nuk kanë aftësi profesionale”, thuhet në kumtesën e UNICEF-it.
Nga agjencia thonë se në konfliktin që zhvillohet në verilindje të Nigerisë janë rekrutuar dhe janë shfrytëzuar më shumë se 3.500 fëmijë nga grupet e armatosura mes viteve 2013 dhe 2017, ndërsa të tjerë janë rrëmbyer, lënduar, përdhunuar dhe vrarë.
“Ne nuk mund të heqim dorë në luftën për fëmijët, përderisa fëmijët ende janë të prekur nga luftimet. Në do të vazhdojmë përderisa nuk mbetet asnjë fëmijë në radhët e të gjitha grupeve të armatosura në Nigeri”, citohet të ketë thënë Mohamed Fall, përfaqësuesi i UNICEF-it në Nigeri.
Banesat te “Rrethi i Flamurit” do të kyçen në ngrohjen e “Te...
“Duhet të përmirësohemi, Daku u largua për çështje taktike”,...
Gjendet një mjet i pashpërthyer në Graqanicë, ndërhyn KFOR-i...
“Paralizohet” Greqia, sindikatat e punonjësve në grevë
Policia parandalon një rast të kontrabandimit me emigrant në...
Policia shqiptoi 2 mijë gjoba brenda 24 orëve