Google ADS

Ngurrimi i Evropës në riatdhesimin e pjesëtarëve të ISIS-it

14:21 | 20 Shkurt 2019
Arbresh.info

Pasi pjesëtarët e DEASH-it janë nxjerrë edhe nga vendbanimi i fundit në lindje të Eufratit në Siri dhe thirrjeve të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, ndaj Evropës që t’i marrë mbrapsht qytetarët e saj që kanë marrë pjesë në organizatën terroriste, sërish doli në pah mungesa e dëshirës dhe mosgatishmëria e vendeve evropiane lidhur me këtë çështje, shkruan Anadolu Agency (AA).

Pasi SHBA-të dhe organizata terroriste YPG/PKK morën kontrollin mbi vendbanimin e fundit të cilin DEASH-i e mbante nën kontroll në lindje të Eufratit, parashtrohet pyetja rreth fatit të terroristëve të DEASH-it.

Shumica e terroristëve që janë bllokuar në qytezën Bagoz të Dejrizorit janë terroristë të huaj.

Dhjetëra pjesëtarë të DEASH-it dhe familjet e tyre, të cilët pranuan të dorëzohen duke lënë armët pasi Bagoz u pushtua nga YPG/PKK, me anë të kamionëve ishin dërguar në fushën e naftës Al-Omar në Dejrizor, e përdorur nga forcat e SHBA-ve si bazë.

Në qytezë ende ndodhen qindra terroristë të DEASH-it dhe familjet e tyre.

“SHBA kërkon nga Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe aleatët tjerë evropianë që të marrin mbrapsht mbi 800 luftëtarë të DEASH-it që kapëm në Siri dhe t’i gjykojnë. DEASH është afër kolapsit. Alternativa tjetër jo e mirë është se do të detyrohemi t’i lirojmë ata”, ka shkruar Trump në rrjetin social të dielën e kaluar, gjë e cila solli në rend dite edhe mungesën e dëshirës dhe mosgatishmërinë e vendeve evropiane në lidhje me çështjen.

Pas deklaratave të Trumpit, ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas, në deklaratën e tij tha se situata nuk është aq e lehtë sa mendojnë SHBA-të, duke shtuar se fillimisht duhet të mësojnë se në çfarë shkalle kanë marrë pjesë në aktet e DEASH-it në Siri qytetarët e tyre.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, deklaroi se DEASH-i ende nuk ka marrë fund ndërsa ministrja e Drejtësisë, Nicole Belloubet, tha se “Franca në këtë fazë, nuk i përgjigjet kërkesave (të Trump-it) për marrjen mbrapsht të qindra militantëve”.

Ndërsa Britania, dihet se nuk i dëshiron qytetarët e saj që kanë marrë pjesë në DEASH si dhe ka adoptuar metodën e nxjerrjes nga shtetësia.

Mangësitë në sistemin gjyqësor

Vendet perëndimore nuk kanë marrë asnjë masë në lidhje me luftëtarët terroristë të huaj, të cilët Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), i ka definuar si “individët që udhëtojnë në një vend ku nuk kanë lejeqëndrimi ose shtetësi, për infiltrim, planifikim dhe përgatitje të akteve terroriste, pjesëmarrje në to, si dhe marrjen e trajnimit me këtë qëllim”.

Pavarësisht thirrjeve të Turqisë që i ka bërë me vite, sistemet e drejtësisë së vendeve në fjalë, kanë mangësi në gjykimin e krimeve të tilla.

Për arsye se krimet kryhen jashtë vendit dhe është vështirë të dëshmohet se çfarë krime kanë kryer këto persona brenda DEASH-it, mund të jepen dënime shumë të lehta në rast se gjykohen në vendet e tyre.

Gjithashtu ekziston edhe rreziku që pasi pjesëtarët e DEASH-it të kthehen në vendet e tyre, pasi të kalojnë nga proceset gjyqësore, mund të lirohen për shkurt kohë. Për këtë arsye vendet evropiane, vendosin të presin që pjesëtarët e DEASH-it të neutralizohen në shtetet ku ndodhen.

Rreziku i sjelljes së përvojave të tyre terroriste

Një shkak tjetër përse perëndimi është pa dëshirë në lidhje me këtë çështje është se në rast se luftëtarët e huaj terroristë hyjnë në burg, ekziston mundësia për radikalizimin e të burgosurve.

Në rast se luftëtarët e huaj terroristë lirohen për shkak të mangësive në sistemin e drejtësisë, ekziston shqetësimi se mund të terrorizojnë vendet e burimit. Përvojat e këtyre personave që i kanë sjellë nga terreni për planifikimin, përgatitjen dhe kryerjen e akteve terroriste, mban rrezikun e kryerjes së sulmeve të reja ose formimin e celulave të reja në vendet e tyre.

Arsyet fizike dhe ekonomike

Çdo terrorist i kthyer, duhet të mbahet në qeli të ndarë për të parandaluar radikalizimin e të burgosurve të tjerë. Por, kjo situatë, nuk duket e mundshme për arsye të mundësive fizike dhe ekonomike.

Gjithashtu edhe teknologjia e cila do përdoret në ndjekjen e këtyre terroristëve dhe personave me të cilat do të kontaktojnë ka një kosto mjaft të lartë.

Masat që i ka marrë Turqia

Turqia nga njëra anë u bën thirrje shteteve evropiane që të marrin masa në luftën kundër luftëtarëve të huaj terroristë ndërsa zbaton me kujdes masat që i ka marrë që nga fillimi i luftës civile.

Sipas informacionit të marrë nga burimet diplomatike, që nga viti 2011 e deri më tani 70.519 personave u është ndaluar hyrja në Turqi.

Të huajt për të cilët vlerësohet se janë duke bërë hyrje ilegale në vend dhe ka dyshim për lidhje me organizatat terroriste, po merren nën vëzhgim administrativ pas së cilës deportohen. Në kuadër të kësaj janë deportuar 7.060 persona.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme