Presidenti Joe Biden dhe Zonja e Parë Jill Biden u takuan të dielën me familjet e viktimave dhe ekipet e ndërhyrjes së shpejtë në Uvalde të Teksasit, gjatë vizitës së tyre në qytetin që u godit nga dhuna me armë në një shkollë fillore.
Si pasojë 19 fëmijë e dy mësues humbën jetën. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike O’Sullivan thotë se banorët vazhdojnë t’u bëjnë thirrje udhëheqësve të vendit të gjejnë mënyra për të ndaluar dhunën.
Vizitën e tij në Uvalde të Teksasit, Presidenti Biden e nisi nga memoriali i improvizuar i ngritur për nder të viktimave jashtë shkollës fillore Robb, aty ku ndodhi ngjarja tragjike.
Një 18-vjeçar, i pajisur me një armë me më shumë se 1000 fishekë, qëndroi rreth 1 orë brenda shkollës, duke vrarë 19 nxënës e dy mësues.
Kjo është hera e dytë brenda muajit që presidenti viziton një qytet që është goditur nga dhuna në armë. Në fillim të këtij muaji, zoti Biden vizitoi Buffalon, një qytet në Nju Jork, ku një supremacist i bardhë hapi zjarr në një supermarket, duke vrarë 10 afrikano-amerikan.
Të shtunën, gjatë nje ceremonie diplomimi Presidenti Biden foli mbi ngjarjen në Nju Jork.
“E di që ne nuk mund ta nxjerrim jashtë ligjit tragjedinë, por ne mund ta bëjmë Amerikën më të sigurt. Ne mund të bëjmë atë që duhet për të mbrojtur jetët e njerëzve, e të fëmijëve tanë”, tha ai.
Presidenti Biden e të tjerë që mbështesin masat për vendosjen e më shumë kufizimeve ndaj armëve, e shohin ngjarjen në Teksas pasojë të ligjeve të dobëta mbi armët. Në komentet e tyre për Zërin e Amerikës disa prej banorëve të qytetit të Uvaldet thanë se shpresojnë që presidenti dhe Kongresi, të marrin masa.
“Masa që lidhen me kontrollin e armëve dhe patjetër programe për trajtimin e shëndetit mendor. Unë vetë një pronar pasionant armësh”, thotë George, banor i Uvaldet.
Ka ardhur koha, thotë ai, për forcimin e kufizimeve ndaj armëve.
Një tjetër pronar armësh ndan të njëjtin qëndrim. Ai thotë se gjërat duhet të ndryshojnë.
“Shkollat nuk janë të sigurta. Bashkëshortja ime është mësuese në gjimnaz dhe shqetësohem pasi nuk e di se çfarë mund të ndodhë. Nëse ka ndodhur këtu, mund të ndodhë kudo”, thotë Paul Castillo, banor i Uvaldet.
Një tjetër thotë se besimi i jep forcë, por megjithatë ajo shpreson të shohë veprime nga qeveria.
“U lutemi atyre dhe të gjithë ligjvënësve tanë që t’i dëgjojnë njerëzit, ata që po humbasin fëmijet e tyre. Është shumë e rëndësishme që ne të ndryshojmë ligjet”, thotë Cleo Hernandez, banore e Uvaldet.
Ndërkohë Shoqata Kombëtare e Armëve, një grup që mbron të drejtën e zotërimit të një arme, një organizatë e fuqishme lobuese, mbajti të dielën në Hjuston të Teksasit ditën e fundit të konventës së saj vjetore. Grupimi me shumë ndikim politik në shtete si Teksasi është kundër kufizimeve ndaj armëve të sulmit. Por në Uashington një grup senatorësh dypartiakë po zhvillojnë bisedime mbi kufizime të reja të mundshme ndaj armëve.
Senatori demokrat Chris Murphy, mbështet nevojën për ndryshime të mëdha në ligjet mbi armët, por aktualisht po zhvillon bisedime me republikanët për ndryshime më modeste, sikurse zgjerimi i kontrolleve mbi të dhënat që ofrojnë individët që kërkojnë të blejnë armë.
“Bëhet fjalë për një paketë (ligjore) e cila realisht mund të ushtrojë trysni të konsiderueshme me synim për të ulur dhunën me armë në këtë vend. Ndoshta kjo është gjëja më e rëndësishme që mund të bëjmë duke treguar se përparimi është i mundshëm dhe se nuk bëhet qameti nëse republikanët mbështesin disa nga këto masa të arsyeshme”, tha Senatori Chris Murphy.
Mes pikëllimit mbarëkombëtar pas ngjarjes në Uvalde, amerikanët po kërkojnë përgjigje për t’u siguruar që tragjedi të tilla të mos ndodhin më./VoA/
Parandalohet një rast i kontrabandës në Han të Elezit, vlera...
Policia e rajonit të Ferizajt heq 12 patentë shoferë për një...
KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurti...
Lajçak mesazh fundviti Kosovës dhe Serbisë: Pa normalizim ma...
Milan Radoiçiq e Zvonko Veselinoviq ia mësyjnë ndërtimit të ...
Shqipëria mbyll TikTok-un, për këtë vendim shkruan ‘The Tele...