Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka realizuar një vizitë të paparalajmëruar në jug të Gazës, disa ditë para se të mbajë një fjalim para Kongresit amerikan.
Vizita e trupave izraelite në Rafah u bë publike vetëm disa orë pasi ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, politikan i ekstremit të djathtë, vizitoi vendet e shenjta në Jerusalem.
Kjo vizitë e Ben-Gvirit kërcënon që të pengojë bisedimet që kanë për synim arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi për luftën 9-mujore mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Negociatorët izraelitë të mërkurën arritën në Kajro për të punuar në eliminimin e dallimeve mes Izraelit dhe Hamasit sa i përket marrëveshjes për armëpushim.
Zyra e Netanyahut bëri publike vizitën e kryeministrit izraelit në Rafah, vetëm pasi ai e kishte përfunduar vizitën në këtë qytet të shkatërruar nga lufta në Gazë. Kjo zyrë tha se më vonë do të japë detaje të tjera për vizitën në jug të Gazës.
Forcat izraelite pushtuan Rafahun në fillim të majit, duke detyruar shumicën e 2 milionë personave që po strehoheshin aty, që të largohen.
Izraeli ka thënë se pothuajse ka mposhtur Hamasin në Rafah, që sipas Izraelit është qyteti ku Hamasi ka bastionin e tij të fundit në Gazë.
Në javët e fundit, Izraeli ka intensifikuar sulmet në Gazën qendrore, ku gjenden shumica e palestinezëve që kanë ikur nga pjesë të tjera të Gazës për shkak të luftimeve.
Lufta në Gazë nisi pasi më 7 tetor Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë deri më tani janë vrarë më shumë se 38.600 persona.
Gjendet pa shenja jete një 68-vjeçar në Vlorë, dyshohet se u...
NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Polon...
Gjimshiti triumfon ndaj Ismajlit, Atalanta rikthehet në krye...
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë...
Llapi ndahet me stafin e trajnerëve
Kurti: Pasaporta e Kosovës në top 10 pasaportat e botës që k...