Më 1 nëntor, Izraeli mban zgjedhjet e pesta në më pak se katër vjet.
Të përfshirë në një cikël zgjedhjesh prej vitit 2019, votuesit shpresojnë që këtë herë do t’i japin fund bllokadës politike në këtë shtet.
A do të fitojë Netanyahu?
Ish-kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, synon të rikthehet në pushtet, por nuk dihet nëse do t’ia dalë.
Rivali i tij kryesor është kryeministri aktual i qendrës, Yair Lapid.
Partia Likud e Netanyahut, me qasje të krahut të djathtë, pritet të fitojë numrin më të madh të ulëseve në Parlament.
Me mbështetjen e partive të djathta dhe fraksioneve ekstreme fetare, Netanyahu, 73-vjeçar, ka mundësi të sigurojë edhe shumicën.
Megjithatë në katër proceset e fundit zgjedhore, Netanyahu nuk ka arritur të krijojë koalicion e djathtë që ka synuar.
Kush është tjetër në garë?
Lapid, 58-vjeçar, ish-prezantues televiziv dhe ministër i Financave, i cili ka hyrë në politikë rreth një dekadë më parë.
Partia e tij “Ka të ardhme”, renditet e dyta në sondazhe, mirëpo kampi i tij i mbështetjes është më i vogël sesa blloku i Netanyahut.
Ministri i Mbrojtjes, Benny Gantz udhëheq partinë e qendrës së djathtës “Uniteti Kombëtar”.
Ai pritet të fitojë më pak ulëse sesa Netanyahu dhe Lapid.
Mirëpo parashikime të tilla nuk e kanë ndalur ish-shefin ushtarak Gantz, 63-vjeçar që të konsiderojë veten si kandidatin e vetëm që mund të bllokojë Netanyahun nga formimi i aleancave të reja dhe që ta nxjerrë Izraelin nga kriza e katër vjetëve të fundit.
Kush tjetër ka rëndësi?
Itamar Ben-Gvir. Një ligjvënës ultranacionalist, i cili mund të bëhet person kyç për formimin e Qeverisë së Netanyahut dhe mund të testojë politikën e jashtme të Izraelit nëse bëhet ministër.
I dënuar më 2007 për nxitje të racizmit dhe mbështetje të një grupi që Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara e kanë futur në listë të zezë, Ben-Gvir, 46-vjeçar, ka thënë se prej atëherë i ka marrë mësimet e duhura.
Një bashkim i partisë së Ben-Gvirit, “Fuqia hebreje” me fraksionet tjera politike, mund të rrisë mundësitë që grupi të renditet i treti në zgjedhje.
Pse ka rund të ri të zgjedhjeve?
Lapid dhe partneri i tij i koalicionit, Naftali Bennett, i kanë dhënë fund udhëheqësisë së Netanyahut nëqershor të vitit 2021.
Mirëpo më pak se një vit në pushtet, koalicioni ka nisur të ketë humbje të mbështetësve.
Para se opozita të marrë vendim për rrëzim të Qeverisë, vetë Qeveria e ka shpërndarë Parlamentin dhe ka shpallur zgjedhje të parakohshme.
Pse janë të rëndësishme këto zgjedhje?
Për shkak të Netanyahut.
Ndonëse paditë për ryshfet dhe mashtrime kanë bashkuar rivalët e tij, baza e tij besnike ka mbetur e palëkundshme.
Kritikët e Netanyahut besojnë se kthimi i tij në pushtet mund të rezultojë me presion në sistemin e drejtësisë së Izraelit, ashtu që t’i shmanget dënimit.
Ndonëse Netanyahu thirret në kredencialet e tij për siguri, perspektiva e zbehtë e bisedimeve për paqe me palestinezët dhe bllokada në negociatat e fuqive botërore për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore me Iranin, kanë lënë çështjet diplomatike mënjanë.
Sipas sondazheve, rritja e çmimeve të jetesës përbën shqetësimin kryesor për izraelitët. /rel
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...