Google ADS

Netanyahu në Francë, nderon viktimat e Holokaustit

21:43 | 16 Korrik 2017
Trina Galanxhi

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, vizitoi Parisin ku edhe mori pjesë në ceremonitë e zhvilluara në kujtim të viktimave të një arrestimi masiv të hebrenjve në Francën e pushtuar nga nazistët, në 1942.

Më shumë se 13 mijë hebrenj u kapën dhe u mbyllën në një stadium, “Velodromin D’hiver”, para se të niseshin drejt kampeve naziste të vdekjes. Më pak se 100 prej tyre mbijetuan.

Okazioni u shfrytëzua ndërkohë për bisedime direkte mes Natanyahut dhe presidentit francez Emmanuel Macron, me tema kryesore, sigurinë dhe luftën kundër ekstremizmit.

“Franca mbështet pa rezerva dhe pa kushte sigurinë e izraelit. Ndërkohë, unë apeloj për rifillimin e negociatave mes izraelitëve dhe palestinezëve, brenda kornizës së zgjidhjes dy shtetëshe, Izraeli dhe Palestina, që jetojnë së bashku, krah për krah, brenda kufijve të sigurt dhe të njohur, me Jeruzalemin kryeqytet. Kjo është një konstante e diplomacisë franceze, ndaj të cilës unë jam i angazhuar tërësisht”, u shpreh Macron.

“Këndvështrimi ynë është se në thelb të konfliktit është refuzimi i vazhdueshëm i palestinezëve për të pranuar një shtet hebre, një shtet për popullin hebre, në çfarëdolloj kufijsh, e kjo, bashkë me çështjen e hershme të sigurisë, janë dy shtyllat e paqes”, tha Netanyahu.

Macron shprehu edhe kundërshtinë ndaj ndërtimit të kolonive të reja izraelite në territoret e pushtuara. Më herët këtë muaj, ai takoi në Paris liderin palestinez Mahmoud Abbas.

Ndërkohë, vizita e fundit zyrtare e Netanyahut në Francë, ishte pjesëmarrja në marshin e unitetit pas sulmeve mbi zyrat e revistës satirike “Charlie Hebdo”, oficerët e policisë dhe një supermarketi hebre, në janar 2015.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme