Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u duk të shtunën se doli kundër deklaratave të presidentit amerikan Joe Biden për një shtet palestinez pas përfundimit të luftës kundër Hamasit në Gaza.
Zoti Biden tha të premten se kishte folur në një telefonatë me zotin Netanyahu për zgjidhjet e mundshme për krijimin e një shteti të pavarur palestinez, duke sugjeruar se një alternativë mund të ishte një qeveri e çmilitarizuar.
“Në bisedën e tij me Presidentin Biden, kryeministri Netanyahu përsëriti qëndrimin e tij se pasi Hamasi të shkatërrohet, Izraeli duhet të ruajë kontrollin e sigurisë mbi Gazën për t’u siguruar që Gaza të mos përbëjë më kërcënim për Izraelin, gjë që bie ndesh me kërkesën për sovranitetin palestinez”, thuhet në një deklaratë nga zyra e kryeministrit izraelit.
E pyetur të sqarojë nëse zoti Netanyahu është kundër çdo lloj alternative për një shtet palestinez, zyra e tij nuk u përgjigj menjëherë.
Telefonata mes dy udhëheqësve ishte e para prej gati një muaji, tha Shtëpia e Bardhë.
I pyetur nëse një zgjidhje me dy shtete ishte “e pamundur” ndërsa kryeministri Netanyahu është në pushtet, presidenti Biden tha: “Jo, nuk është”.
Presidenti u tha gazetarëve të mbledhur në Shtëpinë e Bardhë se ai beson se “ka disa lloje zgjidhjesh me dy shtete” dhe se zoti Netanyahu mund të jetë i hapur për një prej tyre.
Zoti Netanyahu nuk ka refuzuar drejtpërdrejt dhe qartë krijimin e një shteti palestinez. Por të enjten ai tha se në çdo zgjidhje në të ardhmen e parashikueshme “Izraeli duhet të ketë kontrollin e sigurisë mbi të gjithë territorin në perëndim të lumit Jordan. Ky është një kusht i domosdoshëm. Kjo bie ndesh me parimin e sovranitetit, por nuk kemi ç’të bëjmë.”
Bisedimet e paqes të mbështetura nga SHBA drejt së ashtuquajturës “zgjidhje me dy shtete”, dështuan një dekadë më parë.
Të enjten, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Matthew Miller tha se nuk kishte asnjë mënyrë për të zgjidhur sfidat afatgjata të sigurisë të Izraelit dhe sfidat afatshkurtra të rindërtimit të Gazës pa krijimin e një shteti palestinez. Zoti Miller tha se Izraeli kishte një mundësi tani pasi vendet në rajon janë të gatshme për të ofruar garanci sigurie për Izraelin./voa
Çmimet e barnave të unifikuara nga 1 janari, Kurti: Edhe një...
Sali Berisha i bashkohet protestës së opozitës në Tiranë: Nu...
Shkëlqeu ndaj ish-skuadrës së tij, Hot “MVP” i javës
Vëllaznimi rikthen Myreon Jones
Ushtarët e KFOR-it kryejnë stërvitje të përbashkët evakuimi
Nis protesta e opozitës në Shqipëri, bllokohen disa rrugë në...