Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka kritikuar Rusinë për qëndrimin e saj në lidhje me luftën në Rripin e Gazës gjatë një bisede telefonike me liderin rus, Vladimir Putin, të dielën, njoftoi zyra e kryeministrit izraelit.
Zyra e Netanyahut tha në një komunikatë për media se lideri izraelit shprehu pakënaqësinë e tij me qëndrimet që i kanë marrë përfaqësuesit rusë në Kombet e Bashkuara dhe në forumet e tjera ndërkombëtare.
Rusia e mbështeti të premten një rezolutë të Këshillit të Sigurimit që bënte thirrje për ndaljen e luftës së Izraelit në Gazë, e cila, megjithatë, u bllokua nga Shtetet e Bashkuara që përdorën veto.
Netanyahu, po ashtu, “shprehu kritika të ashpra për bashkëpunimin e rrezikshëm mes Rusisë dhe Iranit”, sipas komunikatës së zyrës së tij.
Izraeli është duke u përballur me kritika dhe thirrje për një armëpushim, sepse i ka vrarë mijëra palestinezë civilë dhe i ka zhvendosur gati 85 për qind të 2.3 milionë banorëve të Gazës brenda territorit të rrethuar, ku, sipas OKB-së, nuk ka mbetur me asnjë vend i sigurt për t’u strehuar.
“Secili vend që do të goditej nga një sulm kriminal e terrorist siç është goditur Izraeli, do të përgjigjej me po të njëjtën forcë që është duke e përdorur Izraeli”, i tha Netanyahu Putinit, sipas njoftimit.
Netanyahu ka shprehur mirënjohje për përkushtimin e Rusisë për lirimin e izraelitëve me pasaportë ruse të cilët po mbaheshin rob nga Hamasi – grupi radikal palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE.
Rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, u vranë gjatë sulmit të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, ndërsa më shumë se 240 të tjerë u morën peng. Gjatë një armëpushimi të përkohshëm njëjavor u liruan një pjesë e pengjeve në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë.
Megjithatë, besohet se mbi 130 pengje janë duke u mbajtur nga Hamasi në Gazë ende.
Si përgjigje ndaj atij sulmi, Izraeli po e kryen një luftë shkatërruese nga toka dhe ajri, duke i vrarë mbi 17.400 palestinezë – 70% gra dhe fëmijë – dhe duke i plagosur rreth 46.000, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin palestinez, e cila thotë se shumë njerëz të tjerë kanë mbetur të ngujuar nën rrënoja./rel
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...