Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha sot se vendi i tij do të luftojë derisa të sigurojë fitore ndaj grupit të militantëve të Hamasit. Ai i bëri këto komente ndërsa ndaj qeverisë së tij është rritur trysnia për negociuar për lirimin e pengjeve. Po sot Ministri i Jashtëm britanik David Cameron dhe homologja e tij gjermane, Annalena Baerbock, bënë thirrje për një “armëpushim të qëndrueshëm” në Gazë nëpërmjet një artikulli të përbashkët të botuar në një gazetë britanike.
Në fjalën e tij hapëse në fillim të takimin javor të kabinetit në Tel Aviv, Kryeministri Benjamin Netanyahu lexoi pjesë nga ajo që ai tha se ishte një letër që kishte marë nga familjarë të ushtarëve të rënë, duke thënë se vazhdimi i luftës kundër Hamasit në Gazë ishte vullneti i tyre.
Zoti Netanyahu përsëriti atë që e ka thënë edhe më parë se lufta do të vazhdojë deri në fitore.
“Vullneti i të rënëve është ai që na udhëheq. Ne do të luftojmë deri në fund dhe do t’i arrijmë të gjitha objektivat tona: eliminimin e Hamasit, lirimin e të gjithë pengjeve dhe të sigurohemi që Gaza të mos bëhet më një qendër terrori kundër shtetit të Izraelit”, thotë Kryeministri Netanyahu.
Ushtria izraelite ndërkaq ka publikuar imazhet nga ajo që thonë se është një tunel i Hamasit, i cili u zbulua brenda një dhomë gjumi fëmijësh në Jabalya, në veri të Gazës.
“Hamas ISIS-i i përdor dhomat e fëmijëve për terror, vrasje e për masakra”, shprehet gjatë videos Majori Alon, fytyra e të cilit ishte e mbuluar për arsye sigurie.
Në qytetin Khan Yonis në pjesën jugore të Gazës palestinezë të plagosur u dërguan me urgjencë në spitalin Nasser të dielën, pas një sulmi ajror izraelit në një shkollë të OKB-së për refugjatët palestinezë.
Shumica e të plagosurve ishin fëmijë dhe pleq.
“Nuk ka siguri as në shkolla dhe as në spitale. Unë druhem se mund të vritem ndërsa ndodhem këtu në spital. Nuk ka asnjë zonë të sigurt”, thotë Hosin Maqat, banor i Rripit të Gazës.
Pamjet me dronë tregojnë mijëra banorë të Gazës që qëndrojnë në radhë për ushqim në Rafah, pikëkalimin kufitar mes Gazës dhe Egjiptit, të dielën ndërsa vullnetarë nga organizata jo qeveritare përgatisin ushqimet për të zhvendosurit.
Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së ka thënë se gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të Gazës po vuan nga uria pasi Izraeli filloi sulmin ushtarak në pjesën jugore të territorit.
Ndërsa OJQ-të shpërndanin ushqimet, kamionët me ndihma filluan të hyjnë në Gazë përmes vendkalimit Kerem Shalom të dielën, në pjesën jugore të Gazës, afër kufirit me Egjiptin. Kjo është hera e parë që ky pikëkalim u hap që nga shpërthimi i luftës, njoftoi zyra e kryeministrit izraelit.
Izraeli po përballet me trysni në rritje që të lejojë më shumë ndihma të hyjnë në Gazë e të minimizojë viktimat civile. Trysnia ndaj Kryeministrit Netanyahu për të arritur një marrëveshje të re me Hamasin u shtua të dielën edhe nga familjet e pengjeve izraelite në Gazë të cilët të dielën ngritën një kamp pranë Ministrisë së Mbrojtjes të Izraelit në Tel Aviv, e thanë se do të qëndrojnë aty derisa qeveria të sigurojë një marrëveshje me Hamasin për të liruar të afërmit e tyre.
Vrasja aksidentale e tre pengjeve nga forcat izraelite gjatë kësaj jave ka rritur trysninë ndaj kryeministrit Netanyahu, për negociata.
Por grupi militant thotë se nuk do të zhvillojë negociata për lirimin e pengjeve për sa kohë që Izraeli vazhdon me sulmin në shkallë të gjerë ndaj Gazës.
“Dua të më kthejnë djalin, dua që të bëhet marrëveshje me Hamasin. Nuk e di se si, por unë dua që të ulen në tryezë dhe të bisedojnë”, thotë Eli Shtivi, babai i pengut izraelit Idan.
Militantët e Hamasit vranë 1200 izraelitë dhe morën peng 240 persona gjatë sulmit të befasishëm terrorist ndaj Izraelit më 7 tetor. Izraeli u kundërpërgjigj me një sulm gjithëpërfshirës në Gazë, i cili që prej fillimit ka shkaktuar 19 mijë të vdekur mes palestinezëve, sipas të dhënave të Hamasit të cilat nuk mund të konfirmohen nga burime të pavarura./voa
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...