“Nëse SHBA tërhiqet, Irani do t’i rikthehet programit bërthamor para marrëveshjes”

19:21 | 8 Maj 2018
Arbresh.info

Kryetari i Komitetit për Çështjet Bërthamore në Kuvendin e Iranit, Muxhteba Zinnur, ka theksuar se Teherani do të pasurohet me uranium sa të jetë e nevojshme në rast se SHBA tërhiqet nga marrëveshja për programin bërthamor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur për agjencinë gjysmëzyrtare iraniane të lajmeve Tesnim, Zinnur, ka bërë një vlerësim në lidhje me mundësinë e tërheqjes së SHBA-ve nga marrëveshja bërthamore.

“Sipas lajmeve aktuale, Trump do të njoftojë tërheqjen nga marrëveshja ose duke marrë pranë tij vendet e Evropës do të vendosë kushte më të rënda për Iranin. Që të dyja situatat janë të njëjta për ne, sepse në marrëveshje nuk do të pranohen kushte të reja”, është shprehur Zinnur.

Ai tha se Irani në rast të shkeljes së marrëveshjes do të rikthehet menjëherë në programin e tij bërthamor të mëparshëm. Zinnur ka vënë në dukje se do të duhet më shumë kohë për të rikthyer në gjendjen e mëparshme reaktorin ujit të rëndë Arak i cili është ristrukturuar pasi i është hequr bërthama në kuadër të marrëveshjes.

“Para marrëveshjes kishim një pasurim të uraniumit në masën 20 për qind, por në kuadër të marrëveshjes kjo u kufizua në 3,67 për qind. Në rast të tërheqjes së Trump nga marrëveshja do të zhvillojmë pasurimin e uraniumit në masën që nevojitet nga programi ynë bërthamor paqësor, pasi nuk do të jetë e nevojshme për ndonjë kufizim”, theksoi Zinnur.

Presidenti amerikan, Donald Trump, është shprehur shpeshherë se dëshiron të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore me Iranin. Trump pritet që vendimin e tij ta njoftojë sot në mbrëmje, ku ai në lidhje me këtë kërkon që në marrëveshja të shtohen pikat që Irani të ndalë aktivitetet e tij raketore dhe të tërheqë praninë e tij ushtarake nga rajoni.

Marrëveshja për programin bërthamor u nënshkrua në vitin 2015 mes Iranit dhe vendeve P5 + 1 (SHBA, Britania e Madhe, Franca, Rusia, Kina dhe Gjermania).

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme