Kandidati republikan për President Donald Trump do të mbajë të dielën një tubim në kompleksin shumë-funksional “Madison Square Garden” të Nju Jorkut, një aktivitet i rëndësishëm në një shtet që për herë të fundit ka mbështetur një president republikan në 1984.
Kundërshtarja e tij Nënpresidentja Kamala Harris ndodhet në Filadelfia, qyteti më i madh i Pensilvanisë dhe një bastion i demokratëve që ata duan ta fitojnë me patjetër.
Ajo planifikon të ndalet tek një biznes i vogël në pronësi të një afrikano-amerikani, si dhe një tjetër në pronësi të një portorikani, për të inkurajuar njerëzit të votojnë.
Duke folur në Kishën e Dhembshurisë së Krishterë të dielën në mëngjes, zonja Harris nuk e përmendi Trumpin me emër por tha se:
“Në këtë moment ne përballemi me një pyetje reale: Në çfarë lloj vendi duam të jetojmë?”, tha ajo.
Në Manhatan të Nju Jorkut, zoti Trump do të mbështesë kandidatët lokalë për kongresin.
Miliarderi amerikan Elon Musk, i cili po mbështet ish-presidentin në garën për Shtëpinë e Bardhë do të jenë një ndër personat që do të mbajë fjalim gjatë tubimit.
Zoti Trump, një personazh i famshëm i Nju Jorkut për dekada, do të përdorë aktivitetin që mbahet në vendin ikonik, të njohur për ndeshjet e basketbollit të skuadrës së “Knicks-ve” dhe koncertet e Billy Joel, për të theksuar se pse republikanët duhet të fitojnë zgjedhjet.
Sondazhet tregojnë se zoti Trump dhe zonja Harris janë kokë më kokë në shtetet e fushëbetejës pak më shumë se një javë deri në ditën e zgjedhjeve, më 5 nëntor. Deri tani më shumë se 38 milionë vota janë hedhur në zgjedhjet paraprake.
Zoti Trump ka kritikuar zonjën Harris duke e lidhur emrin e saj me mënyrën se si administrata Biden ka trajtuar çështjen e imigracionit dhe ekonomisë.
“Ajo e dreqosi me këto çështje dhe unë premtoj se do t’i rregulloj”, tha ai.
Ekonomia amerikane ka përparuar në krahasim me pjesën tjetër të vendeve së zhvilluara që nga kriza që shkaktoi pandemia e COVID-19, dhe tregjet e aksioneve kanë arritur nivele rekord këtë vit.
Por çmimet e larta të produkteve ushqimore, shërbimeve dhe banesave kanë tronditur votuesit, të cilët besojnë se ekonomia po shkon në drejtimin e gabuar.
Zonja Harris, e cila mbajti një miting me këngëtarin Bruce Springsteen në Atlanta të enjten, do të mbajë një tjetër takim elektoral të rëndësishëm të martën në Uashington, ku do të nxjerrë në pah kontrastin mes saj dhe zotit Trump.
“Ai ka plot ankesa. Ai është i mbushur me gjuhë të ulët që lidhet me hakmarrjen”, tha zonja Harris për zotin Trump si përgjigje ndaj pyetjes së gazetarëve të dielën në Filadelfia.
Me rizgjedhjen e Ronald Reganit u shënua dhe hera e fundit që Nju Jorku mbështeti një republikan për president; demokrati Joe Biden fitoi shtetin në vitin 2020 me 23 për qind më shumë.
Me një aktivitet elektoral që tërheq vëmendjen në tregun më të madh mediatik në botë, zoti Trump mund të ndihmojë në nxitjen e mbështetjes për kandidatëve republikanë për garën për Kongresin. Shteti ka shtatë vende në konkurim që mund të ndihmojnë në përcaktimin nëse partia e tij do të vazhdojë të mbajë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve.
Zyrtarët e fushatës së zotit Trump thanë se të gjitha vendet në kompleksin sportiv prej 19,500 vendesh, ishin zënë. Biletat u shpërndanë falas për pjesëmarrësit.
Rreth 30,000 persona ndoqën mitingun e zonjës Harris me këngëtaren dhe superyllin amerikan Beyonce të premten në mbrëmje në Houston, të Teksasit si dhe rreth 20,000 morën pjesë në mitingun e saj në Atlanta.
“Sondazhi im i brendshëm është instinkti im”, u tha zonja Harris gazetarëve në Filadelfia kur u pyet se si po ecën fushata dhe çfarë tregojnë parashikimet e zyrtarëve të saj zgjedhor.
“Momenti është me ne”, shtoi ajo.
Pas ndalesave në lagjet e Filadelfias të dielën, zonja Harris planifikon të vizitojë çdo shtet të fushëbetejës në ditët në vijim.
Kundërshtarja e zotit Trump në vitin 2016, demokratja Hillary Clinton, e ka akuzuar ish-presidentin se ka “kopjuar”, një tubim pro-nazist që u mbajt në “Madison Square Garden” në vitin 1939 në prag të Luftës së Dytë Botërore.
Kritikët e zotit Trump e kanë akuzuar atë prej kohësh për fuqizimin e supremacistëve të bardhë përmes retorikës së tij raciste.
Zoti Trump dhe udhëheqësit republikanë iu përgjigjën deklaratave të zonjës Clinton.
“Ajo tha se është njësoj si vitet 1930. Jo, nuk është ashtu”, tha zoti Trump në një tubim në Miçigan të premten.
“Ai quhet: ta bëjmë Amerikën të madhe sërish, kjo është e gjitha”, shtoi ai.
Në aktivitetin në Manhatan pritet të flasë edhe Robert F. Kennedy Jr., ish-kandidati i pavarur presidencial që u largua nga gara dhe mbështeti zotin Trump, si dhe komentatori konservator Tucker Carlson./voa
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...