Negociatat për programin bërthamor të Iranit rifillojnë më 29 nëntor në Vjenë

09:14 | 4 Nëntor 2021
Trina Galanxhi

Negociatat për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore të Iranit do të rifillojnë në Vjenë më 29 nëntor, tha Përfaqësuesi i Lartë Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Josep Borrell në një deklaratë të lëshuar të mërkurën.

“Mbledhja e Komisionit të Përbashkët do të zhvillohet në formë fizike me 29 nëntor në Vjenë. Ai do të drejtohet në emër të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell nga Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm Enrique Mora. Në të do të marrin pjesë përfaqësues të Kinës, Francës dhe Gjermanisë, Rusisë, Britanisë dhe Iranit”, thuhet në deklaratë, transmeton portal arbresh.info

Tema e negociatave do të jetë “perspektivat për një rikthim të mundshëm të Shteteve të Bashkuara në JCPOA (marrëveshja e programit bërthamor të Iranit) dhe sigurimi i zbatimit të plotë dhe efektiv të marrëveshjes”, tha Borrell.

Marrëveshja për të shpëtuar marrëveshjen e programit bërthamor të Iranit është e mundur “së shpejti”, pas rifillimit të bisedimeve të planifikuara me 29 nëntor, megjithatë kërkohet nga Irani që të jetë serioz në synimet e tij, thuhet tutje në deklaratë.

Irani tha në fund të tetorit se ishte gati të rifillonte bisedimet në Vjenë, pas një takimi midis zëvendësministrit të jashtëm iranian Ali Bagheri dhe negociatorit evropian Enrique More.

Superfuqitë, të cilat nënshkruan një marrëveshje historike me Republikën Islamike në 2015 për të parandaluar këtë të fundit të prodhonte një bombë atomike, kanë kërkuar gjithnjë e më shumë që Irani të caktojë një datë kthimi në tryezën e bisedimeve.

Amerikanët u tërhoqën në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja në vitin 2018 gjatë mandatit të Donald Trump, i cili e vlerësoi atë si të pamjaftueshme dhe rivendosi sanksionet ndaj Iranit. Teherani, nga ana tjetër, ka braktisur gradualisht kufizimet e vendosura në programin e tij bërthamor./arbresh.info/

 

Të ngjashme