Suedia duhet të kërkojë më shumë përjashtime nga ligjet e Bashkimit Evropian, si pjesë e një rivendosje të marrëdhënieve me bllokun 27-anëtarësh, ka thënë të martën kreu i demokratëve të Suedisë, partisë së dytë më të madhe të vendit dhe njëkohësisht pjesë joformale e qeverisë suedeze.
Duke i bërë jehonë kritikave nga euroskeptikët në mbarë kontinentin, Jimmie Akesson ka thënë se fuqia gjithnjë e më e madhe e BE-së nënkupton se “politikanët gjermanë, polakë apo francezë praktikisht vendosin se çfarë veture mund të blesh, sa e shtrenjtë duhet të jetë benzina dhe cilën pemë mund ta presësh në pronën tënde”.
Akesson, partia kundër emigracionit e të cilit ka një ndikim të madh mbi qeverinë djathtiste të Suedisë, vetëm sa nuk ka bërë thirrje për një “Swexit”, një votim për largim nga Bashkimi Evropian, siç bënë votuesit britanikë më 2016, raporton Reuters.
Por, ai ka thënë se BE-ja po ecën në drejtim të gabuar.
“Sot, ka arsye të mira për të rishqyrtuar seriozisht anëtarësinë tonë”, ka shkruar Akesson në të përditshmen Aftonbladet. “Zgjedhjet tona të përgjithshme në Suedi së shpejti nuk do të kenë kurrfarë rëndësie në zhvillimin e Suedisë. Sigurisht, ne nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë”, është shprehur ai.
Akesson ka paralajmëruar se BE-ja mund të imponojë politika më liberale ndaj imigracionit në Suedi, e cila ka pasur një qëndrim gjithnjë e më të ashpër në vitet e fundit ndaj aplikimeve për azil.
Suedezët janë ndër më pozitivët në Evropë karshi anëtarësisë në BE, me 68 për qind në favor të qëndrimit në bllok, sipas një sondazhi të realizuar nga Universiteti i Gëteburgut, në mars.
Vitin e kaluar, vendi aplikoi për t’iu bashkuar aleancës ushtarake NATO, e cila përfshin shumicën e vendeve anëtare të BE-së./REL
Bajram Shala: Pati edhe racizëm dhe sjellje racore, hera e d...
Futbollistët dardan nuk kthehen në fushë, gjqytari e mbyll n...
Gjyqtari kryesorë u jep ultimatum futbollistëve dardan tR...
Ky është parashikimi i motit për vikend
Raporti i KE: Ekonomia shqiptare vazhdon trendin e fortë të ...
Media rumune i quan gjeste të turpshme disa nga veprimet e f...