Google ADS

Në Spanjë protestuesit përplasen me policinë për masat e reja

15:46 | 31 Tetor 2020
Arbresh.info

Në disa qytete spanjolle u mbajtën protesta të dhunshme brenda natës kundër masave të reja për të frenuar përhapjen e COVID-19, raporton Anadolu Agency (AA).

Të premten në mbrëmje, qindra protestues nën thirrjet e “lirisë” dogjën kontejnerë mbeturinash dhe hodhën gurë dhe sende të tjera drejt policisë në qendër të Barcelonës. Videot tregojnë se në disa raste, policia u detyrua të tërhiqej.

Policia katalanase tha se arrestoi 14 persona, dy prej të cilëve ishin të mitur, dhe se 23 policë u plagosën.

Protestuesit plaçkitën të paktën dy biznese në Barcelonë dhe dëmtuan disa automjete policore, sipas policisë.

Në qytetin Burgos, grupe kryesisht të rinjsh me maska u mblodhën 20 minuta para se të hynte në fuqi ora policore. Ata i vunë flakën koshave të plehrave dhe hidhnin gjithçka që kishin në dorë drejt policisë, e cila u përpoq t’i ndalonte.

Të paktën një oficer policie u plagos dhe dy protestues u arrestuan, sipas gazetës “Diario de Burgos”, e cila ia atribuoi protestat grupeve të ekstremit të majtë.

Në qytetin Santander, 150 persona u përleshën me oficerët e policisë, duke plagosur të paktën dy prej tyre. Policia arrestoi tetë persona, shtatë prej të cilëve ishin të rinj.

Në fillim të kësaj jave, protesta të ngjashme u mbajtën në Sevilje, Bilbao dhe Oviedo, ndërsa qeveria e Spanjës zbatoi kufizime të reja, si orë policore dhe kufizime të lëvizjes.

Spanja raportoi të premten një rritje rekord të infeksioneve me koronavirus, 25.595 raste ditore. Numri i të vdekurve u rrit me 1.126 në javën e fundit për të arritur në 35.878.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme