Grupi militant libanez Hezbollah po bën përpjekje të rrisë trafikimin e drogës në Evropë, i thanë Zërit të Amerikës ish-zyrtarë të Shteteve të Bashkuara. Grupi militant, që ka mbështetjen e Iranit, po goditet nga një ofensivë e intensifikuar ushtarake izraelite që ka shkatërruar burimet kryesore të të ardhurave të grupit në Liban.
Zyrtarë ndërkombëtarë të zbatimit të ligjit i thanë Zërit të Amerikës, megjithatë, se grupi i përcaktuar si organizatë terroriste nga Uashingtoni përballet me disa sfida në rritjen e operacioneve të trafikut të drogës në Evropë.
Grupi militant libanez po përballet me një krizë financiare që kur Izraeli përshkallëzoi sulmet ndaj drejtuesve dhe infrastrukturës së organizatës në Liban, sipas burimeve amerikane dhe libaneze që folën me Zërin e Amerikës në fillim të këtij muaji.
Këto sulme përfshijnë sulmet ajrore izraelite të së dielës në degët e institucionit bankar të Hezbollahut ‘Al-Qard Al-Hassan’ në pjesët e Libanit që kontrollohen nga Hezbollahu, përfshirë në bastionin në jug të Bejrutit.
Intensifikimi i ofensivës së Izraelit vjen pas 11 muajve të kundër përgjigjes së kufizuar ushtarake ndaj sulmeve të Hezbollahut në veri të shtetit hebre. Grupi libanez filloi sulmet ndaj Izraelit një ditë pas sulmit terrorist të grupit Hamas në Izraelin jugor më 7 tetor, sulm ky që ndezi luftën mbi 1 vjeçare në Rripin e Gazës.
Ish-zyrtarët amerikanë, të cilët folën ekskluzivisht për Zërin e Amerikës për aktivitetet ndërkombëtare të trafikut të drogës të grupit Hezbollah, thanë se burimet e tyre në Evropë kanë raportuar këtë muaj një rritje të interesimit nga grupi militant libanez për trafikimin e drogës në kontinentin evropian.
Grupi militant libanez Hezbollah drejton një rrjet global kriminalo-financiar, me qendra në Afrikë dhe Amerikën Latine, sipas Zyrës së Studimeve të Kongresit amerikan. Agjencia e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, Europol, tha në një raport të vitit 2022 se grupi Hezbollah gjithashtu përdor bllokun evropian si një “bazë për mbledhjen e fondeve, rekrutimin dhe aktivitetet kriminale nga të cilat ata marrin fitime të konsiderueshme”.
Grupi libanez ka ndërtuar një “rrjet bashkëpunëtorësh” në Bashkimin Evropian, të dyshuar për “transportin dhe shpërndarjen e drogës dhe drejtimin e operacioneve të pastrimit të parave”, thuhet në raportin e Europol-it.
“Kam biseduar me disa trafikantë që veprojnë në Evropë, të cilët janë arrestuar në të kaluarën dhe janë rekrutuar si burime të organeve të rendit dhe që i janë rikthyer trafikimit”, thotë David Asher, ish zyrtar i Departamentit të Shtetit dhe Departamentit të Mbrojtjes, i cili është marrë me operacionet kundër trafikimit të drogës dhe pastrimit të parave nga grupi Hezbollah, gjatë një interviste me Zërin e Amerikës më 9 tetor.
“Ata më kanë thënë se janë kontaktuar për të organizuar dërgimin e drogës te individët që kanë lidhje me Hezbollahun, sa më shpejtë që është e mundur”, thotë më tej zoti Asher.
“Kjo nuk do të thotë që tanimë është shtuar sasia e drogës që mund të blihet në rrugë, por unë e pres që kjo të ndodhë pasi fondet e Hezbollahut në Liban janë në rrezik dhe ata duhet të sigurojnë më shumë para përmes rrugëve të paligjshme”.
Thomas Cindric, agjent në pension i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Luftën Kundër Drogës (DEA) i tha Zërit të Amerikës të hënën se njerëzit që kanë lidhje me trafikimin e drogës gjithashtu kanë njoftuar për një rritje të aktivitetit të trafikimit të drogës në Evropë nga grupet që kanë lidhje me Hezbollahun, gjatë dhjetë ditëve të fundit.
Një zyrtar ndërkombëtar i sundimit të ligjit duke folur në kushte anonimiteti për Zërin e Amerikës, javën e kaluar, tha se grupet e krimit të organizuar që kanë lidhje me Hezbollahun “padyshim do të bëjnë përpjekje të rrisin aktivitetin” pasi grupi militant libanez është nën trysni financiare.
“Kur sulmohesh ashtu siç po sulmohet Hezbollahu tani nga izraelitët, e vetmja mënyrë për të fituar shumë para dhe me shpejtësi, është përmes trafikimit të drogës”, thotë zoti Cindric.
Zëri i Amerikës e ka kontaktuar Departamentin e Sigurisë Kombëtare gjatë javës së kaluar për të pyetur nëse ka vërejtur të njëjtën gjë rreth aktiviteteve të grupit Hezbollah, por nuk ka marrë përgjigje.
Administrata e Presidentit Joe Biden ka vendosur disa sanksione ndaj individëve dhe grupeve që kanë lidhje me grupin Hezbollah në kuadër të përpjekjeve për të penguar aktivitetet e paligjshme ndërkombëtare të tij.
Trafikimi i drogës në Evropë është një mënyrë e shpejtë për grupin libanez të fitojë para për shkak të kërkesave të mëdha”, sipas Hans Jakob Schindler, Drejtor i Projektit Kundër Ekstremizmit, një organizatë jo qeveritare amerikano – gjermane.
“Evropa është konsumuesja më e madhe e kokainës në botë. Ajo e tejkalon Shtetet e Bashkuara, pra, kërkesa më e madhe është në Evropë”, thotë zoti Schindler i cili ka gjithashtu ka punuar për qeverinë gjermane dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Zoti Shcindler thotë se grupi Hezbollah ka krijuar lidhje me kartelet e Amerikës Jugore që e dërgojnë drogën me anije në Afrikën Perëndimore. Nga aty, sipas tij, droga transportohet fillimisht në bregdetin verior të Afrikës dhe më pas në bregdetin jugor të Evropës.
“Ndryshe nga trafikimi i drogës, metodat e tjera të Hezbollahut nuk kanë mundësi që me shpejtësi të sigurojnë para”, thotë zoti Schindler.
Kompanitë që kanë lidhje me grupin militant libanez, të përfshira në aktivitete të paligjshme, nuk kanë mundësi të dyfishojnë të ardhurat brenda pak ditëve. Grupi gjithashtu do ta kishte të vështirë të rriste me shpejtësi donacionet dhe të ardhurat nga diaspora libaneze, tha ai.
Quentin Mugg, oficer i policisë franceze në Europol dhe autor i librit “Paratë e Pista” ku tregon për punën e tij në luftën kundër krimit të organizuar, i tha Zërit të Amerikës javën e kaluar se njoftimet për planin e Hezbollahut për të përshpejtuar trafikun e drogës në Evropë është i besueshëm.
“Unë e di nga rastet e kaluara se kriminelët libanezë apo ata me origjinë libaneze në Evropë, që kanë lidhje me Hezbollahun, po pastronin të ardhurat e siguruara nga trafikimi i drogës dhe po devijonin disa nga fitimet drejt Hezbollahut”, tha zoti Mugg.
“Pra, ne e dimë se Hezbollahu po përfitonte nga ky pastrim parash në një mënyrë të strukturuar. Duke e patur këtë parasysh, njoftimi për planin që të përshpejtohet ky aktivitet ka kuptim”, tha ai.
Zyrtari ndërkombëtar i zbatimit të ligjit që foli për Zërin e Amerikës tha se një sfidë me të cilën përballet grupi militant libanez në përpjekjet për pastrimin e të ardhurave nga trafikimi i drogës është konkurrenca me grupet e tjera të krimit të organizuar në Evropë.
“Është një treg ku ka shumë konkurrencë, kështu që Hezbollahu mund të mos jetë i suksesshëm”, tha zyrtari.
Zoti Mugg tha se grupi Hezbollah dhe bashkëpunëtorët e tij gjithashtu do të përballen me operacionet e Europol-it, i cili heton komunikimet e koduara për të zbuluar identitetet e trafikantëve të mëdhenj.
“Konfiskimet e drogës janë rritur në mënyrë dramatike vitet e fundit. Pra, aktiviteti evropian i zbatimit të ligjit po lulëzon me të vërtetë”, tha ai./voa/
Roma fillon të këndellet, ‘shkatërron’ në shtëpi Parman
Kusari-Lila rrëfehet për kancerin e gjirit: E zbulova krejt ...
Të paktën 20 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë
LDK premton koeficient të pagave 150 euro për të giithë shër...
U tha se zëvendësministri i ri i MINT-it ishte dënuar për ke...
Nga 100 euro për fëmijë e pensionistë, Rrahmani: Vendim i du...