Në kërkim të valutës, Koreja Veriore lejon bastet për garat me kuaj

01:23 | 17 Tetor 2017
Trina Galanxhi

Bastexhinjtë koreano-veriorë, që dikur rrezikonin 3 vite punë të rëndë për atë që bënin, tani do të munden të vendosin baste në garat lokale me kuaj, ndërsa vendi i izoluar përpiqet të zbulojë burime të reja të ardhurash në mesin e intensifikimit të sanksioneve ndërkombëtare.

“Një seri garash u mbajtën në klubin e kalërimit ‘Mirim’, një prej ambienteve argëtuese të preferuara të Kim Jong-un në Penian”, njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve “KCNA”. Televizioni shtetëror “KRT” shfaqi po ashtu të premten imazhe të personave që ngisnin kuaj dhe spektatorë që shihnin skedinat e tyre.

“Kim Jong-un ka këmbëngulur për një seri projektesh të ngjashme, përfshirë një park tematik, një resort skish dhe një klub kalërimi, në dukje për hir të përmirësimit të mirëqenies së njerëzve, por qëllimi real i tyre ishte të tërhiqte valutë të huaj”, tha Na Jeong-won, shef i Institutit të Kërkimeve Ekonomike dhe Industriale në Korenë e Veriut, por me qendër në Seul.

“Pavarësisht sanksioneve, numri i të pasurve në Korenë e Veriut është rritur. Hendeku mes të pasurve dhe të varfërve po thellohet. Ata mund të kenë arritur nivelin ku vendi mundet të menaxhojë një biznes bastesh bazuar në kërkesën lokale”, tha Na Jeong-won, president i institutitit.

Qasja e Koresë së Veriut te valuta e huaj është kufizuar nga një seri sanksionesh ndërkombëtare në lidhje me programin e saj bërthamor, përfshirë edhe masa mbi eksportet kryesore, si qymyri dhe ushqimet e detit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme