Në Havanë, aty ku ndryshova mendim për Fidel Castron

08:10 | 1 Dhjetor 2016
Arbresh.info

Nga: Katie Hopkins

Është thënë shumë për vdekjen e Fidel Castros.

Në rrugët e Miamit ka pasur festime. Kubanët e mërguar festonin vdekjen e një monstre, një njeri që ka shtypur çdo ëndërr, ka heshtur çdo disidencë dhe ka diktuar një jetë në varfëri për popullin e tij.

Liberalët dhe të majtët kanë rezervuar vlerësime pafund për Castron si një ikonë. Justin Trudeau thotë se ai ishte një orator legjendar dhe revolucionar.

Corbyn thotë se ai ishte një kampion i drejtësisë sociale, kurse Kim Jong-un thotë se ai do mbetet gjithmonë në zemrat e njerëzimit progresiv.

Erdha në Kubë për të zbuluar të vërtetën pas monstrës. Por, nuk e gjeta atë për të cilën erdha. Gjeta diçka krejt ndryshe.

Nuk është gjithçka e bukur. Trashëgimia e Castros në jetën e përditshme është një kaos shkatërrimtar. Godinat mezi mbahen në këmbë, makinat kanë mbushur serviset, meshkujt ofrojnë trupat e tyre për monedha të huaja, ashtu siç bëjnë femrat.

Njerëzit mbajnë radhë të gjata me tallona në duar, me shpresën që të marrin pak qumësht ose mish, teksa presin të duruar përpara rafteve bosh. E kuptoj se këtu nuk ka qese për blerje, nuk ka njerëz që mbushin çantat.

Një grua mban në dorë një kulaç, pak mish, një frut. Ky është vakti për një familje.

Pyes veten se si është jeta mes atyre korridoreve të ngushtë, në ato dhoma të vogla, teksa varin rrobat në ballkon.

Të shkëputur nga bota – nuk ka internet, nuk ka TV kabllor, nuk ka energji. Është një vend i ngrirë në kohë. Sikur ka pasur një shpërthim bërthamor dhe vendi po ripopullohet më guximshëm dhe më vendosur.

Duket si një makth oruellian. Por, nuk është histori kaq e trishtë. Sepse, zbulova se kubanët janë të fortë dhe krenarë për mënyrën e tyre të jetesës.

Mijëra prej tyre qëndrojnë në radhë në Sheshin e Revolucionit. Qëndroj mes tyre, teksa presin gjithë natën në radhë. Presin pa asnjë ankesë. Të rinj dhe të vjetër. Bashkohen në radhë në fund pa asnjë ankesë, krejt mirësjellje. Shumë prej tyre duket se derdhin lot të sinqertë.

“Jam e shkatërruar, pasi më duket sikur më ka vdekur babai im. Ai ishte si babai i dytë për mua. Gjithçka kemi, shkollimin tim si mjeke, ia dedikoj atij”, thotë Maria del Carmen, 57-vjeçeare, që pret në radhë që prej agimit.

Shkova sërish ditën tjetër. Dhe sërish ishin aty. Fytyra të reja, të gatshëm për të qëndruar në radhë, në mes të vapës. Mes tyre është edhe Belkis Meireles, një inxhinier 65-vjeçar.

“Jam shumë i mërzitur. Erdha të nderoj babain tonë, mikun, komandantin. Ai ishte një njeri që na çliroi ne dhe dërgoi mjekët dhe mësuesit kudo në botë”.

Disa e pranojnë në heshtje se ka pasur presion për të marrë pjesë në këto homazhe.

Këta njerëz duken se e duan me të vërtetë liderin që humbën, me gjithë të metat. Ishte një figurë babai, që i braktiste shpesh fëmijët, por që dashuria e tij ishte konstante. Një burrë i pabesë, që e tradhtonte gruan, por që kishte një dashuri të vërtetë njëkohësisht.

Dhe, për çdo kapitull të historisë që provon se ai është një monstër, ka një tjetër faqe që jeton. Vlera të qëndrueshme që i gjen tek njerëzit sot: Patriotizmin që shfaqet tek flamujt e mbështjellë në supe; Krenarinë në një ishull të vogël, që ishte si Davidi përballë Goliathit Amerikë, që pa frikë mbizotëron kundër mosmarrëveshjeve; dhe, një ndjenjë e fortë e familjes, ku njerëzit qëndrojnë së bashku, ngrihen së bashku, e mbajnë fort njëri-tjetrin për të bërë gjëra më të mira.

Një grup me të rinj shfaqet nga askundi për t’u siguruar që kam marrë kusurin e duhur në një tezgë ushqimi, e një grua më ofron çadrën e saj teksa jam në radhë në diell.

E dashuroj atë që kanë ndërtuar këtu. I admiroj ato skelat e padukshme të shoqërisë, që i mban gjërat e qeta edhe në mesin e kaosit.

Ne në shtëpinë tonë kemi lirinë për të protestuar për gjithçka, për të toleruar pafund multikulturalizmin që përkthehet në geto, një sistem shëndetësor të sofistikuar që falimenton veten. Një sistem edukimi të vendosur për të mbështetur budallenjtë në kurriz të të zgjuarve, ata le të dështojnë.

Mendoj për të gjitha.

Ne mund të besojmë se jetojmë në një shoqëri të sofistikuar ku shijojmë më shumë liri se në çdo kohë tjetër në histori. Por, tani e kuptoj se si Castro, duke u ka dhënë këtyre njerëzve lirinë nga këto gjëra, mund të ketë lënë trashëgiminë më të madhe.

______________________________________________________________________________________________________________
Shënim: Opinioni që sapo lexuat nuk shpreh qëndrimin/opinionin e Arbresh.info. Ai është një trajtimi sipas bindjeve të autorit dhe shpreh vetëm opinionin e tij rreth çështjes që trajton.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme