Të premten filloi numërimi me dorë i votave në garën për Senat në Florida, pasi një gjykatës iu drejtua zyrtarëve zgjedhorë se po e bënin qesharak shtetin e Floridës në sytë e botës.
“Jemi bërë qesharakë për këto zgjedhje, megjithatë vazhdojmë të mos e zgjidhim problemin,” tha gjykatësi.
Komentet e tij u panë si referencë për zgjedhjet presidencile të vitit 2000 kur ndërhyri Gjykata e Lartë për të zgjedhur fituesin mes kandidatëve George Bush dhe Al Gore pas një periudhe konfuzioni dhe akuzash të ndërsjella.
Ligji i Floridas kërkon që votat të numërohen me dorë nëse diferenca mes kandidatëve është më e vogël se 0.25%. Deri të enjten në mbrëmje, senatori aktual demokrat Bill Nelson dhe kandidati republikan, Rick Scott, i cili aktualisht është guvernator i Floridës, kishin një diferencë prej vetëm 0.15%.
Zyrtarët e zgjedhjeve nuk arritën ta mbyllin procesin brenda afatit të së enjtes duke thënë se makinat e numërimit të votave në qytetin Palm Beach kishin probleme.
Zyrtarët në qytezën Tampa Bay nuk pranuan të konfirmonin rezultatin e votave, pasi herën e dytë numri i zgjedhësve që kishin votuar rezultoi me 800 votues më pak se herën e parë.
Gjykatësi federal Mark Walker nuk pranoi ta zgjaste afatin dhe kritikoi zyrtarët që nuk ishin përgatitur për probleme të mundshme.
Si demokratët, ashtu edhe republikanët kanë ngritur një numër aktpadish lidhur me numërimin e votave.
Gjykatësi Walker u ka dhënë kohë votuesve deri të shtunën pasdite për të korrigjuar fletëvotimet e tyre nëse ato nuk ishin numëruar pasi kishte mospërputhje të firmës.
Zyrtarët e Floridës dëshmuan në gjykatë se afro 4 mijë vota ishin shpallur të pavlefshme nga zyrtarët lokalë të zgjedhjeve sepse firmat mbi fletëvotime nuk përputheshin me firmat që kishin zyrtarët në regjistrat zgjedhorë. Ka gjasa që afati i ri të bëjë të vlefshme votat nga shumë të rinj që votojnë pro demokratëve.
Një studim i zhvilluar para zgjedhjeve nga Unioni Amerikan për të Drejtat Civile zbuloi se fletëvotimet që dërgonin votues të rinj me postë kishin përqindjet më të larta të votave të shpallura të pavlefshme, siç duket pasi të rinjtë, të rritur e të mësuar me kompiuter, kur firmosin me dorë nuk përdorin gjithmonë të njëjtën firmë.
Ndërkaq demokratët vazhdojnë të zgjerojnë kontrollin në Dhomën e Përfaqësuesve, pasi e morën kontrollin e dhomës në zgjedhjet e 6 nëntorit, pas tetë vjetësh. Tani demokratët kanë një epërsi të gjerë, 231 me 198 vende, ndërkohë që nuk është konfirmuar rezultati për gjashtë gara.
Fitorja e fundit e demokratëve u njoftua të enjten në darkë. Katie Porter fitoi në garë me ligjvënësen republikane Mimi Waters në Kaliforni, në një distrikt që njihej si zone republikane.
Më herët të enjten, Jared Golden u shpall fitues në garën në Maine kundër ligjvënësit republikan Bruce Poliquin. Fituesi Jared Golden është veteran i Marinës Amerikane që ka bërë fushatë me një platformë progresiste si për shembull kujdes shëndetësor të tipit Medicare për të gjithë.
Një ditë pas zgjedhjeve, zoti Trump u shpreh me krenari “Ishte një ditë e madhe dje. Partia Republikane sfidoi historinë dhe arriti të zgjerojë kontrollin në Senat; po ashtu i tejkaloi parashikime në garat për Dhomën e Përfaqësuesve”.
Me kalimin e orëve natën e zgjedhjeve u duk se republikanët do ta zgjeronin kontrollin prej 51-49 vendesh me 3-4 vende të reja. Por republikanët nuk arritën të ruanin një vend në shtetin Arizona që e kishin mbajtur prej 30 vjetësh. Fitorja i buzëqeshi demokrates Kyrsten Sinema.
Ende nuk janë shpallur rezultatet nga gara në Florida dhe Misisipi. Nëse republikanët fitojnë në këto gara, ata do të shtojnë dy vende të tjera në Senat.
Fjalimi i Presidentes, Tahiri: Deklaratat se nuk mund t’i be...
Kuvendi pritet të mbajë tri seanca, njëra për mandatin qever...
Osmani në Forumin Ndërkombëtar në Halifax: Diskutova për she...
SBASHK-u paralajmëron protestë, thotë se nuk përjashton as g...
Banorët e Big Brother VIP Kosova shokohen nga rrëmuja në sht...
Ali Khamenei: Dënoni me vdekje Netanyahun dhe autoritetet iz...