Konflikti në Ukrainë, pandemia dhe, si gjithmonë, ekonomia ka të ngjarë të dominojnë fjalimin e parë të Presidentit Joe Biden mbi gjendjen në vend që do ta mbajë sonte në një seancë të përbashkët të të dyja dhomave të Kongresit. Ky fjalim i zakonshëm presidencial vjen në një kohë të pazakontë në histori, thonë analistët.
Fjalimi i mandatuar me Kushtetutë është një moment kryesor në retorikën e vitit për një president amerikan. Joe Biden nuk bën përjashtim, por fjalimi i këtij viti mbi gjendjen në vend, megjithëse ai më parë ka folur në një seancë të përbashkët të Kongresit, vjen në një kohë mjaft të vështirë.
Shtëpia e Bardhë thotë se gjatë fjalimit që do ta mbajë sonte, presidenti Biden pritet të diskutojë sulmin rus ndaj Ukrainës dhe të ofrojë pikëpamjen e tij më të gjerë për zhvillimet në botë.
“Jemi në mes të një sulmi rus ndaj Ukrainës. Kështu që nuk mund t’ju jap hollësi paraprake për fjalimin mbi gjendjen në vend. Sa i përket mënyrës se si presidenti e shikon qasjen e tij ndaj politikës së jashtme, ju e dini se ai e ka thënë gjatë fushatës presidenciale se dëshiron ta kthejë Amerikën në një vend udhëheqës në botë, ku udhëheqësit e tjerë në mbarë botën mund t’i besojnë fjalës dhe angazhimeve të Shteteve të Bashkuara, dhe ajo që keni parë gjatë muajve të fundit, është se presidenti e ka përmbushur këtë premtim”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
Javën e kaluar, Presidenti Biden ka mbajtur disa fjalime mbi përshkallëzimin e krizës në Ukrainë.
Midis amerikanëve, Presidenti Biden duhet të presë një reagim në vija partiake kur do të flasë mbi atë që ai e sheh si kërcënimin më të madh ndaj sigurisë globale që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Vendi në përgjithësi bashkohet në mbështetje të një presidenti kur përballemi me një krizë ndërkombëtare. Por, bazuar në atë që thuhet në emsionin e gazetarit konservator Tucker Carlson, atë që thonë ish-presidenti Donald Trump dhe një numër republikanësh në Kongres, ne nuk do ta kemi atë lloj mbështetje për presidentin Biden nga një pjesë e konsiderueshme e popullsisë. Ndasitë partiake ende janë të pranishme, madje edhe për gjëra që ndikojnë në sigurinë kombëtare të Amerikës”, thotë analisti Norman Ornstein nga Instituti American Enperprise.
Presidentët e përdorin gjithashtu këtë fjalim për të promovuar para Kongresit axhendën e tyre të brendshme dhe projektligjet që duan të miratojnë. Dhe ekonomia është një temë që çdo president amerikan e diskuton në fjalimin mbi gjendjen e vendit, thotë Jeremi Suri, historian në Universitetin e Teksasit në Austin.
“Çdo president komenton mbi ekonominë sepse ata duan të theskojnë se gjendja e ekonomisë është e mirë, që ne po pasurohemi, po përparojmë më fortë se kurrë më parë. Përjashtimet e vetme kur presidentët nuk flasin për ekonominë janë momentet kur ne vetë jemi në luftë”, thotë ai.
Një gjë është e sigurt: Amerika dhe pjesa më e madhe e botës do të dëgjojnë atë që do të thotë ai. Fjalimi fillon sonte në orën 9 të mbrëmjes, sipas kohës lokale në Uashington./VOA/
Pak çerdhe, pak punë për gra
Meloni: Rusia përbën rrezik në shumë plane ndaj sigurisë së ...
“Mirëmëngjesi bro”, i thotë Sara Drilonit, por këtij të fund...
Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri apel për masa parandaluese...
Ardhja bashkëatdhetarëve, mbi 1 orë pritjet për të hyrë në K...
Gjesti, ende i inatosur me Xhenetën, nis debat me të në dhom...