Google ADS

Ndryshimet klimatike në fokus të samitit të G20-ës

12:13 | 30 Tetor 2021
A. B.

Kryeministri italian Mario Draghi përshëndet presidentin e Francës Emmanuel Macron në samitin e liderëve të G20 në Romë, Itali, 30 tetor 2021.
Liderët e njëzet vendeve më të pasura të botës që bëjnë pjesë në grupin G20-ës, filluan një samit dy ditor në Romë të Italisë për të diskutuar ndryshimet klimatike dhe ekonominë globale.

Ky është takimi i parë me prani fizike i udhëheqësve të këtyre vendeve që nga fillimi i pandemisë së COVID-19.

Pjesa më e madhe e diskutimeve pritet të fokusohet në ndryshimet klimatike, por edhe çështja e shpërndarjes së vaksinave kundër koronavirusit pritet të jetë ndër temat kryesore.

Kryeministri italian, Mario Draghi, mirëpriti liderët e G20-ës në sallën e kongreseve, Nuvola të Romës.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, më 29 tetor paralajmëroi udhëheqësit e G20-ës që të ndërmarrin veprime dhe të tejkalojnë mosbesimin mes tyre në mënyrë që qëllimet për të përmiresuar situatën klimatike të përparojnë.

“Ne ende jemi në afate kohore për të rregulluar gjërat dhe mendoj se takimi i G20-ës është mundësia për ta bërë këtë”, tha Guterres.

Për çfarë flitet në G20 përveç ekonomisë?

Papa Françesku, i cili u takua me presidentin e SHBA-së, Joe Biden në Vatikan, më 29 tetor, tha se liderët politikë të botës duhet t’u japin brezave të ardhshëm “shpresë konkrete” se ata janë duke marrë masat e nevojshme.

Presidenti amerikan merr pjesë në samitin e G20-ës mirëpo aty mungojnë presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti kinez Xi Jinping, të cilët planifikojnë të marrin pjesë përmes video-lidhjes.

Ndërkohë, Biden pritet të bëjë presion që vendet të rrisin prodhimin e energjisë, për shkak të rritjes së çmimeve, si dhe të diskutojnë planet për të parandaluar pandemitë e ardhshme.

Takimi i G20-ës po zhvillohet para konferencës së OKB-së për klimën në Glasgou të Skocisë.

Liderët janë nën presion për ndërmarrë veprime që do të ulnin emetimet e dioksidit të karbonit në mënyrë që të vihet nën kontroll ngrohja globale.

Grupi i G20-ës, që ndër të tjera përfshin Brazilin, Kinën, Indinë, Gjermaninë dhe Shtetet e Bashkuara, përbën më shumë se 80 për qind të emetimeve të karbonit. /rel

Të ngjashme