Ndryshimet e klimës do të ulin fort të ardhurat botërore

08:07 | 18 Prill 2024
R J

Studiuesit në Gjermani vlerësojnë se deri në vitin 2050 ndryshimi i klimës do të tkurrë prodhimin e përgjithshëm botëror bruto me të paktën 20%.

Një studim i Institutit të Potsdamit për Kërkimin e Ndikimit të Klimës (PIK) i publikuar në revistën shkencore “Nature” thotë se ndryshimi i klimës mund të shkaktojë deri në vitin 2050 një rënie prej rreth 20% të prodhimit të përgjithshëm bruto (PPB). Shkencëtarët thanë se kjo shifër do të përkeqësohet nëse vendet nuk arrijnë të përmbushin objektivat për uljen e emetimeve.

Studiuesit e IPK-së thanë se llogaritjet e tyre bazoheshin në perspektivën e vendeve si Gjermania për të arritur qëllimet e tyre për uljen e emetimeve. Aktualisht shumica e vendeve duket se nuk ka gjasa t’i arrijnë këto objektiva, që do të thotë se ndikimi financiar mund të jetë akoma më i madh se dëmi drastik i parashikuar.

Studiuesit parashikuan, për shembull, se ekonomitë e vendeve të industrializuara si Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të tkurren me afërsisht 11% deri në mesin e këtij shekulli, kurse Franca 13%, edhe nëse do të ndërmerren veprime të sukseshme për mbrojtjen e klimës.

Shkencëtarët e IPK-së analizuan  për studimin e tyre të dhëna klimatike të mbledhura 40 vitet e fundit në më shumë se 1,600 rajone. Në analizën e tyre ata e përjashtuan koston e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore si stuhitë dhe zjarret, të cilat gjithashtu janë intensifikuar prej ndryshimeve klimatike dhe të cilat do të rrisin ndjeshëm dëmet./DW

Të ngjashme