Autorizimi i Papa Françeskut që priftërinjtë katolikë të bekojnë bashkimin e çifteve të së njëjtës gjini paraqet më shumë njohjen asaj çka ka ndodhur në disa famulli evropiane për vite me rradhë. Por vendimi i Papës për të shprehur zyrtarisht miratimin e tij mund të dërgojë një mesazh tolerance në vendet ku të drejtat e homoseksualëve janë më të kufizuara.
Nga Uganda në Shtetet e Bashkuara, ligjet që diskriminojnë personat LGBTQ+ apo edhe kriminalizojnë homoseksualitetin janë shtuar vitet e fundit, duke e bërë këtë komunitetet të ndihet i sulmuar.
Vatikani thotë se homoseksualët duhet të trajtohen me dinjitet dhe respekt, por thotë se aktet homoseksuale janë “në thelb çrregullime”. Papa Françesku nuk e ka ndryshuar këtë qëndrim, por ai e ka shpenzuar pjesën më të madhe të pontifikatës së tij 10-vjeçare duke u përpjekur të tregojë një qasje më pranuese ndaj katolikëve të komunitetit LGBTQ+.
Deklarata e lëshuar të hënën nga Vatikani shënoi një hap të ri në fushatën e Papa Françeskut, duke autorizuar në mënyrë të qartë priftërinjtë që të japin bekime të thjeshta (natyrore) dhe jo hyjnore për çiftet e të njëjtit seks. Kushtet parashikojnë që bekime të tilla në asnjë mënyrë nuk duhet t’i ngjajnë martesës, e cila sipas kishës mund të ekzistojë vetëm midis një burri dhe një gruaje.
Imzot Wolfgang Rothe, një prift gjerman që mori pjesë në një shërbesë të hapur duke bekuar çiftet e të njëjtit seks në maj 2021, tha të martën se në thelb vendimi i Vatikanit quajti të vlefshëm atë që vetë ai dhe priftërinjtë e tjerë në Gjermani kanë bërë prej vitesh. Por ai tha se vendimi do ua bëjë më të lehtë jetën çifteve homoseksuale në shoqëritë më konservatore.
“Në kishën time, bekime të tilla ndodhin gjithmonë kur dikush ka nevojë,” i tha imzot Rothe agjencisë Assciated Press përmes një komunikimi me telefon nga Mynihu.
Megjithatë, ai shtoi se “në shumë vende të botës ka lëvizje që synojnë ruajten e homofobisë në kishë. Për çiftet homoseksuale që jetojnë në këto vende, dokumenti do të jetë një lehtësim i madh.”
Në Nigeri, për shembull, autoritetet e zbatimit të ligjit organizuan arrestime masive të homoseksualëve në tetor .
Nigeria është një nga më shumë se 30 nga 54 vendet e Afrikës ku homoseksualiteti përbën vepër penale, edhe pse kushtetuta e saj garanton mbrojtjen nga diskriminimi dhe të drejtën për jetë private dhe familjare.
Në fillim të këtij viti, Presidenti i Ugandës firmosi ligjin kundër homoseksualëve, i cili parashikon dënimin me vdekje për “homoseksualitetin e rënduar”, i cili përkufizohet si raste të marrëdhënieve seksuale që përfshijnë njerëz të infektuar me HIV, si dhe me të mitur dhe kategori të tjera njerëzish të pambrojtur.
Projektligji i nënshkruar nga presidenti Yoweri Museveni nuk i penalizon ata që identifikohen si pjesëtarë të komunitetit LGBTQ+, gjë që kishte bërë një projektligj i mëparshëm. Aktivistët e të drejtave të LGBTQ+ thanë se edhe legjislacioni i ndryshuar ishte i panevojshëm në një vend ku homoseksualiteti ka qenë prej kohësh i paligjshëm sipas një kuadri të vjetër ligjor që kriminalizon aktivitetin seksual “kundër rendit të natyrës”.
Nuk kishte asnjë deklaratë të menjëhershme nga kisha katolike në Ugandë lidhur me autorizimin e Papa Françeskut.
Në Shtetet e Bashkuara, Fushata për të Drejtat e Njeriut ka vërejtur një rritje “të paprecedentë dhe të rrezikshme” të ligjeve diskriminuese. Janë paraqitur më shumë se 525 projektligje kundër komunitetit LGBTQ+.
“Duke pasur parasysh klimën homofobike të krijuar nga shumë peshkopë në Shtetet e Bashkuara, çiftet e të njëjtit seks ka të ngjarë të mos ndihen ende rehat që të shkojnë tek peshkopit ose prifti për të kërkuar një bekim,” tha Jamie L. Manson, lezbike dhe presidente e “Katolikët për Zgjedhjen”, që kryen veprimtari me qëllim përfshirjen më të madhe të komunitetit LGBTQ+ në kishë.
“Deklarata e sotme zbulon se ky nuk është një problem i Papës Françeskut, por një problem i shkaktuar për dekada të tëra nga stigma e institucioneve dhe nga thirrjet e hapura kundër komunitetit nga një hierarki gjithnjë e më e zhytur në përplasje kulturore, në kundërshtim me një Papë që po e drejton kishën në drejtim të kundërt, më gjithëpërfshirës,” tha ajo në një deklaratë.
Që nga komenti i tij i famshëm “Kush jam unë për të gjykuar” në 2013, lidhur me një prift që supozohej se ishte homoseksual, Papa Françesku ka përparuar në qëndrimin e tij për ta bërë gjithnjë e më shumë të qartë se të gjithë janë fëmijë të Zotit, janë të dashur prej Zotit dhe të mirëseardhur në kishë.
Në një intervistë në janar me agjencinë Associated Press, Françesku u pyet veçanërisht për vendet që kriminalizojnë homoseksualitetin dhe aktet homoseksuale. Ai e bëri të qartë se e dinte se rreth 60 vende në mbarë botën kanë ligje të tilla.
“Të jesh homoseksual nuk është krim”, tha ai në atë kohë. Papa Françesku pranoi se peshkopët katolikë në disa pjesë të botës mbështesinin ligjet që kriminalizojnë homoseksualitetin ose diskriminojnë njerëzit që i përkisnin komuniteti LGBTQ+ .
Raul Pena, një zëdhënës i Chrismhom, shoqata kryesore katolike e komunitetit LGBTQ+ në Madrid tha se dioqezat e qyteteve të vogla, konservatore në Spanjën rurale mund të përfitojnë gjithashtu nga mesazhi i Françeskut.
“Nëse prifti i qytetit tuaj i përshkruan homoseksualët si djall në predikimet e së dielës, gjë që bëjnë disa priftërinj, tani Papa firmos një dokument që thotë se homoseksualët që jetojnë si çift mund të bekohen”, tha ai. “Është një hap themelor për ato hierarki dhe për ata njerëz që janë në vende ku është e vështirë të jesh pjesë e komunitetit LGBT”./VOA
Intervista e Ronaldo-s me MrBeast-in po thyen rekorde, 17 mi...
Kurti: Synim i Serbisë mbetet hakmarrja, Kosova duhet të jet...
Kancelari gjerman Scholz do të kandidojë për një mandat të d...
Vrau Martin Canin gjatë një sherri dhe plagosi shokun e tij,...
Rama uron ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Analistët: Përdorimi i raketave të shpejta nga Rusia, sinjal...