Fillimisht ishte Gjykata e Lartë e Kolorados që vendosi se ish-Presidenti Donald Trump nuk kualifikohej për të rikandiduar për këtë detyrë. Më pas, sekretarja demokrate e shtetit të Meinit vendosi të njëjtën gjë, për shtetin e saj.
Të dyja vendimet janë historike. Gjykata e Kolorados ishte gjykata e parë që mori një vendim ndaj një kandidati për president duke u bazuar tek një kufizim që parashikon kushtetuta, e që është përdorur rrallë kundër atyre që janë “përfshirë në kryengritje”. Sekretarja e Shtetit të Meinit është zyrtarja e parë e lartë që trajton çështje zgjedhore, që ndërmori një veprim për të hequr një kandidat presidencial nga fleta e votimit, sipas së njëjtës dispozitë.
Zbatimi i të dyja vendimeve është pezulluar në pritje të zhvillimit të proceseve ligjore.
Kjo do të thotë se zoti Trump do të vazhdojë të jetë në fletën e votimit në Kolorado dhe Mein dhe se fati i tij politik tashmë ndodhet në duart e Gjykatës së Lartë. Vendimi i Meinit ka të ngjarë të mos hyjë kurrë në fuqi. Por ndikimi i tij është trysnia në rritje ndaj gjykatës më të lartë të vendit për të thënë qartë: A mundet zoti Trump të kandidojë ende për president pas sulmit të 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit?
Cila është çështja ligjore në diskutim?
Pas Luftës Civile, vendi ratifikoi Amendamentin e 14-t për të garantuar të drejtat për ish-skllevërit dhe për shumë arsye të tjera. Në të gjithashtu u përfshi një dispozitë, (pika tre e Amendamentit 14), miratuar me synimin për të mbajtur larg detyrave zyrtare, ata që mbështeten konfederatën.
Pika tre e këtij amendamenti ndalon mbajtjen e një posti publik nga një zyrtar që është betuar se do ta mbështesë Kushtetutën dhe më pas është “angazhuar në kryengritje” kundër saj.
Por po në të parashikohen rastet se kur kjo dispozitë mund të mos zbatohet. Për këtë kërkohet një votim i secilës dhomë të Kongresit, me dy të tretat e votave.
Kongresi e hoqi këtë kufizim për shumicën e atyre që kishin bashkëpunuar me Konfederatën më 1872-in dhe dispozita përgjithësisht nuk u përdor. Por ajo po gjen tashmë zbatim pas 6 janarit 2021.
Si mund të zbatohet ajo në rastin e zotit Trump?
Ish-Presidenti Trump tashmë po ndiqet penalisht i akuzuar për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 që kulmoi me sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit, më 6 janar. Pika 3 e Amendamentit 14, nuk kërkon që zyrtari të jetë dënuar penalisht në mënyrë që të zbatohet. Dhjetra padi janë ngritur për të skualifikuar zotin Trump nga procesi zgjedhor, duke mbështur pohimet se ai është përfshirë në kryengritje më 6 janar, e ndaj nuk kualifikohet për të kandiduar për president.
Të gjitha paditë dështuan deri në vendimin e gjykatës së Kolorados. Po kështu dhjetra sekretarëve të shteve u është kërkuar heqja e tij nga fleta e votimit në zgjedhjet paraprake. Të gjithë kanë thënë se nuk gëzojnë autoritetin për ta bërë një gjë të tillë pa një urdhër gjykate. Sekretarja e Shtetit të Meinit, Shenna Bellows, ishte e para mes tyre që mbajti një qëndrim ndryshe.
Gjykata e Lartë nuk ka marrë kurrë nje vendim lidhur me pikën 3 të Amendamentit 14. Ajo ka të ngjarë ta shqyrtojë këtë çështje pas apelimit të vendimit të Kolorados nga Partia Republikane e këtij shteti. Po kështu zoti Trump pritet të paraqesë së shpejti një ankim mbi çështjen. Vendimi i zonjës Bellows nuk mund të apelohet drejtpërdrejt në Gjykatën e Lartë të vendit, pa ndjekur zinxhirin gjyqësor, duke filluar nga një gjykatë në Mein.
Pas vendimit të Kolorados kishte shumë gjasa që gjykatësit e lartë të shqyrtonin çështjen, por rasti i Meinit heq çdo dyshim.
Zoti Trump humbi Koloradon në vitin 2020 dhe ai nuk ka nevojë që të fitojë në këtë shtet për të siguruar një shumicë në Kolegjin Zgjedhor vitin e ardhshëm. Por ai fitoi një nga katër elektorët e shtetit të Meinit në 2020, ndaj dhe vendimi i zonjës Bellows do të kishte një ndikim të drejtpërdrejtë tek shanset e tij për të fituar nëntorin që vjen.
Derisa të vendosë Gjykata e Lartë, çdo shtet mund të përcaktojë standardin e vet nëse zoti Trump, apo kushdo tjetër, mund të përfshihet si emër të fletën e votimit. Ky është lloji i kaosit ligjor që Gjykata e Lartë duhet të parandalojë.
Cilat janë argumentet në këtë rast?
Avokatët e zotit Trump kanë disa argumente kundër skualifikimit të tij nga gara zgjedhore. Së pari, sipas tyre nuk është e qartë nëse pika 3 zbatohet për rastin e presidentit. Fjala zyrtar e përdorur në Kushtetutë sipas tyre, nuk do të thotë president.
Së dyti, edhe nëse zbatohet për presidencën, thonë ata, kjo është një çështje “politike”, mbi të cilën duhet të vendosin zgjedhësit në kutinë e votimit, jo gjykatësit të cilët, nuk janë votuar për të marrë detyrën që kanë. Së treti, pohojnë avokatët, nëse gjyqtarët duan të përfshihen, ata po shkelin të drejtën e zotit Trump për një procedurë të drejtë ligjore duke vendosur për skualifikimin e tij nga gara, pa një lloj procesi gjyqësor. Së katërti, ata argumentojnë se 6 janari nuk ishte një kryengritje në atë kuptim që e konsideron pika 3, por ishte më shumë si një trazirë. Por sipas tyre edhe nëse do të ishte një kryengritje, zoti Trump nuk është përfshirë në të, ai thjesht ka përdorur të drejtën që i jep kushtetuta, të lirisë së shprehjes.
Sigurisht që ekspertët ligjorë që kërkojnë skualifikimin e zotit Trump kanë argumentet e tyre kundër. Sipas tyre çështja është shumë e thjeshtë: 6 janari ishte një kryengritje dhe zoti Trump e nxiti atë, ndaj dhe ai duhet të skualifikohet bazuar tek kjo dispozitë.
Megjithë ankimet në gjykatë me synim skualifikimin e zotit Trump, shumica e gjyqtarëve i kanë hedhur poshtë paditë për shkak të çështjeve teknike, përfshirë atë se gjykatat nuk kanë autoritetin t’u tregojnë partive, se kë të vendosin në fletëvotim. Sekretarët e shteteve janë shmangur gjithashtu, duke u thënë zakonisht atyre që kanë kërkuar të bllokojnë zotin Trump, se ata nuk kanë autoritetin për ta bërë këtë, nëse nuk ka një urdhër gjykate.
Ekspertët ligjorë kanë paralajmëruar se nëse Gjykata e Lartë nuk e zgjidh qartë çështjen, kjo mund të çojë në kaos në nëntor, ose në janar 2025, nëse zoti Trump fiton zgjedhjet. Imagjinoni, thonë ata, një skenar kur Gjykata e Lartë thotë se ky nuk është një vendim që u takon gjykatave dhe demokratët fitojnë me një shumicë të ngushtë në Kongres. A do të vendosnin ata t’i jepnin zotit Trump detyrën? Apo do të deklaronin se ai nuk është i përshtatshëm sipas pikës 3?
Rasti i Meinit
Meine ka një proces të pazakontë në të cilin një sekretari të shtetit i kërkohet të zhvillojë seanca dëgjimore publike mbi sfidat që u bëhen politikanëve për t’u përfshirë në fletëvotim dhe më pas marret një vendim. Grupe të shumta votuesish në Mein, përfshirë një grup dypartiak ish-ligjvënësish të shtetit, paraqitën një sfidë të tillë, gjë që nxiti vendimin e zonjës Bellows.
Kjo e fundit është një demokrate, ish-kryetarja e një organizate që mbron të drejtat civile. Në profilet e saj në median sociale ajo ka mjaft postime me kritika ndaj zotit Trump. Avokatët e zotit Trump i kërkuan asaj që të tërhiqej nga çështja, për shkak të konfliktit të interesit, duke përmendur postimet e saj ku 6 janari konsiderohej “kryengritje” dhe ankesat se pse Senati e shpalli të pafajshëm zotin Trump mbi këtë çështje, pas ngritjes së akuzave në Dhomën e Përfaqësuesve.
Ajo refuzoi, duke thënë se nuk do të merrte vendim bazuar në opinionin personal të saj. Por me këtë vendim ajo po vendos një preçedent thonë kritikët. Teorikisht, zyrtarët zgjedhorë në çdo shtet mund të vendosin se një kandidat është i papërshtatshëm për të kandiduar, bazuar në një teori të re ligjore rreth pikës 3 dhe t’i japin fund kandidimit të tyre.
Konservatorët argumentojnë se pika 3 mund të zbatohej edhe për Nënpresidenten Kamala Harris, duke sjellë si shembull, se ai u përdor për të penguar marrjen e detyrave zyrtare nga ata që kishin dhuruar shuma të vogla për mbështetës të Konfederatës. Nisur nga kjo ata ngrenë pyetjen: A nuk mund të përdoret kjo pikë edhe kundër zonjës Harris, në kushtet kur ajo ka mbledhur para, për të arrestuarit gjatë trazirave që pasuan vrasjen e afrikano amerikanit George Floyd, nga policia e Mineapolisit në 2020.
A është kjo një çështje politike?
Sigurisht që është. Zonja Bellows është një demokrate dhe të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë të Kolorados janë emëruar nga demokratët. Gjashtë nga 9 gjyqtarët e Gjykatës së Lartë të vendit janë emëruar nga republikanët, tre nga vetë zoti Trump.
Por në vendimet e tyre gjykatat jo gjithmonë ndahen në linja partiake. Vendimi i Kolorados ishte 4 me 3, që do të thotë se tre të emëruar nga demokratët, nuk pajtohen me skualifimin e zotit Trump nga fleta e votimit. Disa gjyqtarë konservatorë, kanë mbrojtur idenë e përdorimit të pikës 3 kundër ish-presidentit.
Por tashmë mbetet për t’u parë se si do ta trajtojë këtë çështje Gjykata e Lartë./VOA
Aksident me fatalitet në Pestovë të Vushtrrisë, vdes në QKUK...
Golden State Warriors mposht kampionin, Grzzlies triumfuan n...
Rama: Magjia e vjeshtës i shton nurin qytetit të Lasgushit
Gërvalla niset për në Lituani, përfaqëson Kosovën në Forumin...
Republikanët e rritën epërsinë e tyre në Senat në 52 nga 100...
Mësohet se sa do të mungojë Neymari pas të lëndimit të radhë...