Vdekja e Presidentit iranian Ebrahim Raisi vjen në një periudhë sfiduese për Republikën Islamike për shkak të legjitimitet të dëmtuar politik në skenën e brendshme dhe një situatë të përshkallëzuar sigurie në Lindje të Mesme, që po përballet me pasojat e luftës së Izraelit ndaj grupit militant Hamas, të mbështetur nga autoritetet iraniane, si dhe tensionet e shtuara ndërmjet Iranit dhe Izraelit, të cilat u përshkallëzuan gjatë sulmit të pashembullt iranian ndaj Izraelit në prill.
Sipas analistëve, vdekja e Presidentit iranian Ebrahim Raisi gjatë rrëzimit të helikopterit është “një humbje e madhe” për vendin, sidomos meqë ndodhi gjatë një “krize të brendshme legjitimiteti” dhe një periudhe të “marrëdhënieve së tensionuara” ndërmjet Teheranit dhe Izraelit.
Trupat e zotit Raisi, ministrit të jashtëm iranian dhe disa zyrtarëve të tjetër u gjetën të vdekur të hënën, disa orë pasi helikopteri i tyre u rrëzua në një rajon malor me mjegull, në pjesën veriperëndimore të vendit, sipas mediave shtetërore të Iranit.
Sipas drejtores së Programit për Afrikën Veriore dhe Lindjen e Mesme në organizatën me seli në Londër ‘Chatham House’, Sanam Vakil, struktura qeverisëse e Iranit do të përpiqet të tregohet e palëkundur dhe të vazhdojë të tregohet si e qëndrueshme përkundër sfidave në planin e brendshëm.
“Kjo po ndodh në një kohë kur sistemi po goditet nëpër tërë rajonin, përfshirë marrëdhënien e tensionuar të Iranit me Izraelin. Sistemi po ashtu po përjeton një krizë të brendshme legjitimiteti. Irani sapo mbajti zgjedhjet parlamentare dhe pjesëmarrja në raundin e dytë ishte tejet e ulët, vetëm rreth 8 për qind e popullsisë votuan në Teheran… Tani brenda 50 ditësh, sipas Kushtetutës, Irani duhet të mbajë zgjedhje presidenciale dhe të gjejë një kandidat që mund të mobilizojë përkrahjen e publikut dhe të ketë legjitimitet, por po ashtu të gjejë një kandidat që do të jetë i besueshëm, konservator dhe që mbështet orientimin aktual të Republikës Islamike,” thotë ajo.
Udhëheqësi suprem i Iranit Ali Khamenei emëroi të hënën nënpresidentin e parë Mohammad Mokhber si president të përkohshëm.
I lindur më 1 shtator të vitit 1955, zoti Mokhber, njësoj si paraardhësi i tij, konsiderohet i afërt me udhëheqësin suprem, i cili është autoriteti kryesor i Iranit.
Zoti Mokhber u emërua nënpresident i parë në vitin 2021 kur zoti Raisi u zgjodh president. Ai ishte pjesë e delegacionit të zyrtarëve iranianë që vizituan Moskën në tetor kur u ra dakord të furnizojnë ushtrinë ruse me raketa dhe dron. Ky delegacion përfshinte edhe dy zyrtarë të Rojës Revolucionare të Iranit dhe një zyrtar nga Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare.
Në vitin 2010, Bashkimi Evropian e futi zotin Mokhber në listën e individëve të sanksionuar nën dyshimin për përfshirje në “aktivitete me raketa bërthamore ose balistike.” Ai u hoq nga ajo listë pas dy vitesh.
Në vitin 2013, Departamenti amerikan i Thesarit futi në listën e sanksioneve konglomeratin e fuqishëm ekonomik të Iranit Setad, që drejtohej nga zoti Mokher dhe që mbikëqyrte 37 kompani.
Sipas analistes Vakil, në Iran mund të priten protesta dhe destabilizim.
“Njerëzit do ta shohin këtë si mundësi për protesta dhe destabilizim në Iran. Natyrisht, vdekja e kreut të shtetit dhe e ministrit të jashtëm është çështje serioze. Republika Islamike do të përpiqet të dëshmojë që proceset dhe institucionet e saj do të vazhdojnë të funksionojnë. Do të përpiqet të tregojë angazhim për këto procese dhe do të organizojë zgjedhjet që duhet të mbahen brenda 2 muajsh. Arritja e këtij synimi do të jetë e vështirë ndërkohë që përpiqen të sigurojnë përkrahjen e publikut,” thotë ajo.
Protestat masive ndër vite kanë tronditur Iranin. Demonstratat e fundit, ato të vitit 2022, u bënë si protestë ndaj vdekjes së Mahsa Aminit, e cila u arrestua dhe vdiq në duart e policisë së moralit vetëm pse nuk kishte vendosur shaminë në kokë.
Ish Presidenti Raisi i fitoi zgjedhjet në Iran në vitin 2021, me pjesëmarrjen më të ulët të votuesve në historinë e Republikës Islamike.
Vdekja e tij vjen në një kohë plot sfida për Lindjen e Mesme, të tronditur nga lufta e Izraelit kundër Hamasit në Gazë. Muajin e kaluar zoti Raisi urdhëroi sulmin e pashembullt me dronë dhe raketa ndaj Izraelit./VOA
Kurti vizitoi repartin e rinovuar të Hemodializës në spitali...
Hiqet flamuri i Serbisë nga një intitucion paralel në veri
Aksident mes tri veturave dhe kamionit në qendër të Prishtin...
Rashford e bën prioritet transferimin te gjiganti evropian, ...
Mbi 3 mijë pjesëtarë të policisë iu nënshtruan kontrolleve s...
Çedomir Aksiq dënohet në mungesë me 15 vjet burgim për krime...